Ndërlidhjet

Isa Boletini, “simbol i amzës shqiptare në kohë”


Isa Boletini, 1914
Isa Boletini, 1914

“Tribun popullor” dhe “gjeneral i pavarësisë së tokave shqiptare”, kështu është cilësuar Isa Boletini - që nga shqiptarët njihet si hero kombëtar - në ceremoninë qendrore që është mbajtur të mërkurën në Mitrovicë, me rastin e rivarrimit të eshtrave të tij.

Arkivoli me eshtrat e Isa Boletinit ka qëndruar për disa orë në stadiumin e qytetit të Mitrovicës “Adem Jashari”, ku edhe është realizuar ceremonia qendrore.

Në këtë ceremoni , për të nderuar heroin kombëtar të shqiptarëve Isa Boletinin, ishin të pranishëm udhëheqës të institucioneve të larta të Kosovës dhe Shqipërisë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, duke folur për figurën e Isa Boletinit, ka theksuar se ai po kthehet në vendlindjen e tij, pas një shekulli dhe siç tha ai “ kthehet i fundit nga beteja e madhe për lirinë e Kosovës”.

“Heronjtë kthehen të fundit nga betejat. I tillë është Isa Boletini. Baca Isa, ne sot jemi të lirë, por kishim mall për ty. Kishte mall Mitrovica. Ne jemi rritur me kujtimet për betejat tua, me kujtimet për fuqinë e fjalës tënde në Kuvendet e mëdha të Kosovës, me shembullin tënd të tolerancës ndëretnike dhe ndërfetare. Ne kemi mësuar nga ti, bacë, se duhet të jemi mirë vetëm kur është mirë vendi ynë”.

Veseli ka shtuar se kancelaritë e perëndimit, siç tha ai, ku dikur Isa Boletini kishte dërguar zërin e Kosovës, sot janë miqtë më të mirë të lirisë dhe shtetit të Kosovës, dhe sot Kosova punon bashkë me këta miq.

Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, duke hedhur vështrim mbi figurën e Isa Boletinit, ka theksuar se frymëzuesi i lirisë së shqiptarëve është kthyer përgjithmonë në Kosovën e lirë dhe të pavarur.

Siç ka thënë ai, deri më tash, ka munguar “altari i lutjes kombëtare në Boletin të Mitrovicës”.

“Isa Boletini ishte dhe mbetet simboli i amzës shqiptare në kohë. Sot e kemi dhe ndjehemi më krenarë, sepse Isa Boletini ishte krenaria shqiptare në orët më tragjike të shqiptarisë. Sot e kemi, për të kujtuar mbi të sakrificat dhe gjakun e derdhur të mijëra dëshmorëve, të cilët dhanë jetën që shqiptarët të mbeten, të qëndrojnë, të ri-ngrihen, që shqiptarët t’i fitojnë të drejtat e tyre kombëtare dhe Isa Boletini është krye-dëshmori ynë”, tha presidenti Nishani

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka theksuar se përtej simbolikës, kthimi i eshtrave të Isa Boletinit në Kosovë, në vendlindjen e tij, është detyrim shtetëror, ndërkaq, jeta dhe vepra e tij kanë qenë, janë dhe do të mbeten inspirim për brezat e ri.

“Sot, në përvjetorin e Lidhjes shqiptare të Prizrenit, po e nderojmë heroin e Kosovës, tribunin e kombit shqiptar, Isa Boletini. Ashtu siç ndodhë gjithmonë me njerëzit e epokave, edhe kësaj radhe, Isa i ynë bëhet urë bashkimi për ne të gjithë, pavarësisht nga bindja jonë politike apo prejardhja jonë rajonale, përtej ngushtësive të pragmatizmit politik. Isa Boletini ishte njeriu i idealeve madhore kombëtare. Duke qenë i këtyre përmasave, ai na bashkon edhe sot”, tha kryeministri Mustafa.

Përfaqësuesi i pasardhësve të familjes së Isa Boletinit, nipi i tij, Gazmend Boletini, theksoi se amaneti i Isa Boletinit sot po e merr formën përfundimtare, sepse ai përfundimisht do të prehet në vendlindjen e tij në Boletin.

“Isa Boletini do të prehet në vendin ku njëqind vjet më parë do ta merrte rrugën e gjatë, për t’i shërbyer interesit kombëtar. Në fund, gjysh i dashur, të qoftë i lehtë dheu i Kosovës dhe i Boletinit”, u shpreh Gazmend Boletini.

Ndryshe, në orën 15:00, eshtrat e heroit kombëtar të shqiptarëve, Isa Boletini, janë bartur dhe varrosur në vendlindjen e tij në fshatin Boletin, i cili gjendet në pjesën veriore të Kosovës.

Isa Boletini, u kishte prirë kryengritjeve të shqiptarë të Kosovës kundër Perandorisë Osmane dhe kundër pushtimit të Kosovës nga Serbia dhe Mali i Zi.

Ai është vrarë në janar të vitit 1916, në Podgoricë, në një pritë të ngritur nga regjimi i asaj kohe.

XS
SM
MD
LG