Ndërlidhjet

Baku: Filluan Lojërat Evropiane, parakaluan edhe kosovarët


Sportistët e Kosovës me flamur duke parakaluar në hapjen solemne të Lojërave Evropiane
Sportistët e Kosovës me flamur duke parakaluar në hapjen solemne të Lojërave Evropiane

Në kryeqytetin Baku të Azerbajxhanit mbrëmë kanë filluar Lojërat Evropiane, në të cilat për të parën herë në një nivel të tillë merr pjesë edhe Kosova.

Në ceremoninë e hapjes solemne, sportistët e Kosovës me flamurin e tyre, ishin në mesin e afro 6 mijë sportistëve të më se 50 vendeve, dhe 68 mijë shikuesve, në Stadiumin olimpik në Baku.

Lojërat i shpalli të hapura presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Alyiev, ndërsa ishte i pranishëm edhe presidenti i Rusisë, Vlaadimir Putin.

Prej artistëve që morën pjesë në këtë ceremoni ishte edhe Lady Gaga, që e interpretoi një këngë të John Lenonit për paqen në botë.

Por, Lojërat Evropiane janë hapur derisa grupet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe organizatat mediale e kanë kritikuar qeverinë e Azerbajxhanit për goditjen ndaj atyre që mendojnë ndryshe dhe për burgosjen e dhjetëra aktivistëve opozitarë, avokatëve dhe gazetarëve.

“Represioni i qeverisë i shndërron Lojërat Evropiane në historike krejtësisht për arsye të këqia”, tha Rachel Denber, nga organizata Human Rights Watch.

Disa gazetarë të jashtëm dhe aktivistë nuk janë lejuar të marrin pjesë në këto lojëra.

Qeveria e Azerbajxhanit pretendon se kjo është fushatë e mediave për “diskreditimin” e lojërave, duke thënë se e përditshmja The Guardian dhe transmetuesi BBC janë pjesë e kësaj fushate të dyshuar.

XS
SM
MD
LG