Ndërlidhjet

Pentagoni: IS-i në “fazë kërkimore” në Afganistan


Shteti Islamik (IS) është në një “fazë iniciale kërkimore” dhe po shikon për mënyrat për zgjerim në Afganistan, tha Pentagoni në një raport të dërguar në Kongresin e Shteteve të Bashkuara, më 17 qershor.

Esktremistët e Shtetit Islamik asnjëherë formalisht nuk e kanë pranuar se kanë prani në Afganistan. Por, shqetësimet po rriten se ky grup po bënë përparime atje, deri në atë pikë që talibanët, ende grupi dominant mysliman në Afganistan, u kanë thënë atyre që të largohen prej andej.

Më 16 qershor, talibanët i kanë tërhequr vërejtjen grupit ekstremist, Shteti Islamik, kundër kryengritjes paralele në Afganistan, pasi është raportuar për disa dezertime dhe për përleshje me militantët lojalë ndaj IS-it.

Në raportin e Pentagonit theksohet se ka “dëshmi për përpjekje të kufizuara rekrutuese” nga Shteti Islamik, por “prania dhe ndikimi i tyre në Afganistan mbetet në fazën nismëtare eksploruese”.

“IS-i me gjasë do të vazhdojë të përpiqet ta zgjerojë praninë e vet në Afganistan, gjatë vitit që vjen dhe do të garojë për ndikim me talibanët dhe grupet e tjera ekzistuese terroriste dhe kryengritëse”, thuhet në raportin e Pentagonit.

Derisa paraqitja e IS-it ka ndikuar që liderët afganë të jenë “fuqishëm të fokusuar” në këtë grup ekstremist, në raportin amerikan theksohet se fuqia e talibanëve nuk duhet të nënçmohet, por rrjeti Haqqani mbetet kërcënimi më i madh.

Grupi Haqqani, me seli në Pakistan, vazhdon të jetë “mundësues kritik” i al-Kaidës, shpjegon raporti, duke theksuar se “rrjeti Haqqani dhe grupet e ndërlidhura i kanë qëllimet e përbashkëta për t’i dëbuar forcat e Sshteteve të Bashkuara dhe ato të koalicionit, për përmbysjen e qeverisë afgane dhe rikrijimin e Emirateve të Bashkuara të Afganistanit”.

“Rrjeti Haqqani e ka udhëhequr kryengritjen në provincat lindore afgane, Paktika, Paktija dhe Khost dhe ka demonstruar aftësi dhe synim për të mbështetur dhe lansuar sulme të profilit të lartë dhe komplekse në gjithë vendin dhe në rajonin e Kabulit”, shkruan në raportin e Pentagonit.

Me gjasë janë më pak se 100 pjesëtarë të rregullt të al-Kaidës në Afganistan, dhe ata mbesin të fokusuar kryesisht në mbijetesë, e jo për planifikimin e sulmeve të ardhshme kundër Shteteve të Bashkuarta”, thotë raporti.

Pjesëtarët e mbetur janë të përqendruar, në masë të madhe, në provincat lindore Kunar dhe Nuristan, por marrin mbështetje nga talibanët dhe “së paku mbështetje të heshtur” nga disa civilë.

Luftëtarët e al-Kaidës kanë filluar të lëvizin në provincat e tjera, përfshirë Ghazni, Zabul dhe Vradak, në pranverë dhe verë, thotë Pentagoni, në raportin e tij për Kongresin e Shteteve të Bashkuara.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG