Ndërlidhjet

Bordi i AKP-së kompletohet në korrik


Bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit do të kompletohet në fillim të muajit korrik, bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Moskompletimi i këtij bordi deri më tani, sipas tyre, ka pasur të bëjë me agjendën e ngjeshur të qeverisë në fushat tjera.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi, ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, se kompletimi i bordeve të ndërmarrjeve shoqërore, në veçanti kompletimi i bordit të AKP-së, do të bëhet pas përmbylljes së disa çështjeve tjera, që sipas qeverisë konsiderohen më me prioritet.

“Ka qenë vëllimi i punës në fusha tjera të qeverisë që e kanë pamundësuar kompletimin e këtij bordi. Ne kemi pasur një agjendë të ngjeshur sa i përket ligjeve që kanë të bëjnë me infrastrukturën fiskale dhe një numër të madh të ligjeve që kanë rregulluar gjyqësorin".

"Prioritet tjetër që kemi pasur më rëndësi dhe që është dashur të përmbyllet si proces ka të bëjë me një numër të madh të ligjeve që ndikojnë në liberalizmin e vizave”, ka theksuar Abrashi.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kishte deklaruar se gjatë muajit prill do të kompletohet bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, por që kjo, sipas zëdhënësit Abrashi, nuk ka ndodhur vetëm për shkak të angazhimeve tjera të Qeverisë.

“Ne e kemi deklaruar se edhe gjatë muajit maj do të kompletohet bordi, por që nuk ka përfunduar për shkak të këtyre obligimeve. Besoj që në fillim të korrikut do të krijohet. Javët e ardhshme pra, do të jenë javë që do të prekin punën e bordeve, ndërsa bordi i AKP-së është i pari në listë sa i përket rëndësisë”, ka sqaruar Abrashi.

Përfaqësues të shoqatave ekonomike dhe përfaqësues të shoqërisë civile, e kanë quajtur të pa arsyeshme zvarritjen e emërtimit të anëtarëve të bordit në ndërmarrjet publike dhe agjencitë e pavarura.

Vonesën e emërimit të drejtorëve të këtyre bordeve sipas tyre, e shkaktuar pazari politik i cili është duke u bërë ndërmjet partive në pushtet.

Megjithatë, mungesa e bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për një kohë të gjatë ka lënë peng shumë çështje, që lidhen me procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore.

Kryesuesi i njësisë për marrëdhënie me publikun në AKP, Veton Hajdini, ka treguar për Radion Evropa e Lirë se në bazë të nenit 15 të Ligjit të AKP-së, bordi i drejtorëve ka përgjegjësi të përgjithshme për aktivitetet e këtij mekanizmi.

“Bordi i drejtorëve vendos për shpalljet e reja të valëve të shitjes, për shpërndarjen e mjeteve nga pjesa e 20 përqindëshit për punëtorët e ndërmarrjeve shoqërore, për shpërndarjen e mjeteve nga procesi i likuidimit të ndërmarrjeve, pastaj për bartjen e mjeteve tepricë në buxhetin e Kosovës, çështjen e riorganizimit të kombinatit Trepça dhe shumë vendime tjera të përcaktuara me ligj, që janë kompetencë e bordit”, ka sqaruar Hajdini.

Hajdini ka theksuar se posa të krijohet bordi i drejtorëve, do të vazhdohet me shpalljen e valëve të privatizimit dhe me shitjen e aseteve përmes likuidimit.

Sipas Ligjit për Ndërmarrjet Publike, bordi i drejtorëve të një ndërmarrjeje përbëhet nga pesë ose shtatë drejtorë, ku një nga ta duhet të jetë nga komuniteti jo shumicë.

Drejtorët zgjidhen nga Qeveria e Kosovës dhe shkojnë në miratim në Kuvendin e Kosovës.

Procesi i emërimit të anëtarëve të bordit, duhet të kryhet në procedurë të hapur, transparente dhe konkurruese, e cila ka për qëllim që të gjitha emërimet të bëhen ekskluzivisht në bazë të meritës.

XS
SM
MD
LG