Ndërlidhjet

“Jugobanka” e paligjshme në Kosovë


Ilustrim
Ilustrim

Policia e Kosovës, ditën e mërkurë, ka bërë kontroll në dy institucione financiare, në Graçanicë dhe në Mitrovicën e veriut, me dyshimin, siç është thënë, se ato institucione financiare kanë bërë shmangie të tatimit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se gjatë kontrollit në këto institucione financiare, ka marrë dokumentacionin për verifikim.

“Policia e Kosovës, së bashku me Bankën Qendrore dhe ATK-në (Administratën Tatimore të Kosovës), kanë realizuar një urdhëresë për kontroll që është lëshuar nga gjykata kompetente. Kontrolli ka pasur të bëjë me dyshimet për shmangie nga tatimi nga ai institucion financiar. Operacioni është realizuar në dy rajone, në Graçanicë dhe në rajonin e Mitrovicës së veriut”, ka thënë Kelani.

Ai ka shtuar se Policia e Kosovës, në bashkëpunim me dy institucionet tjera (Bankën Qendrore dhe ATK-në), kanë marrë disa dokumentacione, mbi bazën e dyshimit për shmangie tatimi dhe se ato tashmë po hetohen.

“Është procedurë të verifikimit dhe të hetimit të mëtutjeshëm. Ka pasur të intervistuar, por jo të arrestuar”, theksoi Kelani.

Megjithatë, aksioni i ditës së mërkurë i Policisë së Kosovës, në Graçanicë dhe Mitrovicë të veriut, ka pasur për qëllim që të parandalojë punën e bankave ilegale në Kosovë.

Zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës, Besnik Kada, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se të dy institucionet financiare, në Graçanicë dhe Mitrovicë të veriut, kanë qenë pjesë të Jugobankës nga Serbia, e cila nuk ka leje pune në Kosovë.

“Dje nga ana e Policisë së Republikës së Kosovës është kryer një aksion në selinë e “Jugobankës” në Graçanicë, në të cilin kanë asistuar zyrtarë të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK) të cilët kanë konstatuar se aktiviteti që ushtrohet nga “Jugobanka” në Graçanicë është në kundërshtim me nenin 5 të Ligjit Nr. 04/L-093 për Bankat, Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jobankare, që ndalon përfshirjen në aktivitete bankare ose ndërmarrjen e çfarëdo aktiviteti financiar pa licencë të vlefshme të lëshuar nga BQK-ja”, ka theksuar Kada.

Ai ka shtuar se është konstatuar se aktiviteti i ushtruar nga “Jugobanka” në Graçanicë duhet të ndërpritet menjëherë, dhe se tashmë është marrë vendimi për një gjë të tillë.

Por, sipas tij, kontrolli në Mitrovicën e veriut, nuk ka shkuar siç ishte planifikuar.

“Në veri të Mitrovicës , ndërmarrja e veprimeve ka qenë e pamundur për shkak të rezistencës dhe pengimit që i është bërë personave zyrtarë , nga ana e stafit të Jugobankës dhe turma e njerëzve që ishte grumbulluar në atë moment”, theksoi Kada.

Ai ka shtuar se BQK-ja mbetet e përkushtuar që në bashkëpunim me institucionet relevante shtetërore të ndërmarrë masat adekuate ligjore ndaj çdo institucioni, që ushtron aktivitet financiar të palicencuar.

Vladeta Kostiq, kryetar i Graçanicës, ka konfirmuar se institucioni financiar, në të cilin Policia e Kosovës ka bërë kontroll, është filiale e Jugobankës.

“Ai është filial i Jugobankës dhe unë vërtetë nuk e di se çfarë letrash posedon Jugobanka. Por, pasi që unë kam pyetur, më kanë thënë verbalisht se ai filial, gjegjësisht Jugobanka nuk posedon licencë dhe kontrolli ka ndodhur për këtë shkak”, tha Kostiq.

Ai ka kritikuar mënyrën se si Policia e Kosovës ka bërë kontrollin, duke thënë se në raste të tilla policia “nuk duhet shkuar në një institucion me armë me tyta të gjata, me pancirë dhe me maska”, por duhet dërguar njerëzit nga agjencitë që janë të thirrura për kontrollin e institucioneve të tilla.

Sipas zyrtarëve të Bankës Qendrore të Kosovës, aktualisht në Kosovë ka institucione të licencuara që vijnë nga Serbia,siç është për shembull Banka Komerciale e Beogradit (Komercijalna Banka Beograd), e cila ka licencë të vlefshme nga BQK-ja dhe ajo ushtron veprimtarinë, si dhe i kryen të gjitha funksionet, duke respektuar legjislacionin në fuqi të Republikës së Kosovës.

XS
SM
MD
LG