Ndërlidhjet

Republikanët përgatiten për refuzimin e marrëveshjes bërthamore


Senatorja Barbara Boxer
Senatorja Barbara Boxer

Kryesuesi i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, e ka paraqitur legjislacionin me të cilën kundërshtohet marrëveshja bërthamore ndërmjet Iranit dhe gjashtë fuqive botërore dhe është paralajmëruar se në këtë dhomë, votimi për këtë masë, do të bëhet muajin e ardhshëm.

Propozim-legjislacioni është paraqitur më 4 gusht, pasi kongresmeni, Peter Roskam, ka pretenduar se republikanët kanë vota të mjaftueshme për ta kaluar legjislacionin, me të cilin bllokohet marrëveshja me Iranin.

Megjithatë, mbështetja për të cilën flasin republikanët nuk është e tillë që të mund të bllokohet edhe vetoja e presidentit, Barack Obama.

Roskam ka thënë se 218 prej gjithsej 434 anëtarëve të Dhomës Përfaqësuese, që është dhoma e ulët e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, kanë shprehur përkushtim për të votuar kundër marrëveshjes bërthamore – të gjithë ata janë republikanë.

Liderja e pakicës në këtë dhomë, demokratja Nency Pelosi, ka thënë se pret që mjaft bashkëpartiakë të saj do të votojnë në favor të marrëveshjes atomike, për ta mundësuar veton presidenciale.

Senati dhe Dhoma Përfaqësuese e Kongresit të Shteteve të Bashkuara, që dominohen nga republikanët, duhet që deri më 17 shtator ta miratojnë ose kundërshtojnë marrëveshjen bërthamore

Për këtë çështje Kongresi do t’i ketë vetëm dy javë për debat dhe për të votuar përmarrëveshje, pasi anëtarët të kthehen nga pushimi njëmujor gjatë gushtit.

Shtëpia e Bardhë është duke u përgatitur për mundësinë që ligjvënësit do të votojnë kundër marrëveshjes dhe është e fokusuar në përpjekjet për lobim, në mënyrë që të ketë numër të mjaftueshëm të demokratëve për ta mundësuar të drejtën presidenciale për veto.

Kërkohet që vetëm një njëren dhomë të ruhet e drejta e vetos presidenciale.

Josh Ernest, zëdhënës i presidentit Obama, tha se Shtëpia e Bardhë beson se mund ta ruaj të drejtën e vetos “së paku në Dhomën Përfaqësuese”.

Për pengimin e vetos, kërkohet që për këtë legjislacion të votojnë së paku 290 anëtarë të kësaj dhome.

Nga ana tjetër, lideri i shumicës republikane në Senatin amerikan, Mitch McConell, tha se në Senat, “sipas të gjitha gjasëve”, po ashtu, do të shqyrtohet rezoluta për kundërshtimin e marrëveshjes atomike me Iranin.

Këto komente të tij u bënë derisa tre senatorë nga Partia Demokratike e kanë shpallur mbështetjen e tyre për marrëveshjen atomike me Iranin, që është arritur më 14 korrik në Vjenë.

Senatorët, Tim Kaine, që ishte bashkautor i legjislacionit me të cilën Kongresit i jepej e drejta për shqyrtimin e marrëveshjes, Barbara Boxer, anëtare e njohur hebreje e Senatit, dhe Bill Nelson, kanë deklaruar se do ta mbështesin marrëveshjen me Iranin.

Në këtë kuadër, Bill Nelson, theksoi:

“Unë do ta mbështes marrëveshjen ndërmjet Iranit dhe P5+1, që janë Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Rusia, Kina dhe Gjermania, pasi jam i bindur se do ta ndalë Iranin nga zhvillimi i i armatimit atomik, për së paku 10 ose 15 vitet e ardhshme. Asnjë alternativë tjetër e mundshme nuk e plotëson këtë objektiv”, tha Bill Nelson.

“Nëse Shtetet e Bashkuara largohen nga kjo marrëveshje shumëkombëshe, atëherë besoj se ne do ta gjejmë vetveten të vetmuar në botë me pak kredibilitet”, tha Nelson.

Por, anëtari i Senatit, nga radhët e republikanëve, Jerry Moran, është shprehur kundër marrëveshjes atomike ndërkombëtare me Iranin.

“Fuqishëm e kundërshtoj këtë marrëveshje. Është në mënyrë të jotolerueshme e rrezikshme dhe rezultati është se një Iran i ri, fuqi e legjitimuar atomike me ekonomi në rritje dhe me mënyra të forcuara për financimin e terrorit, për të armiqësuar, dhe përfundimisht, për të zhvilluar program atomik”, tha Jerry Moran.

Gjatë një paraqitjeje të drejtpërdrejtë në Internet para afro 10 mijë hebrenjëve amerikanë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se marrëveshja me Iranin, “do ta nxisë garën për armatim atomik në rajon”.

“Marrëveshja atomike me Iranin nuk e bllokon rrugën e Iranit kah bomba, aktualisht ajo e hapë rrugën e Iranit për bombë, pasi i jep Iranit dy rrugë për në bombë. Irani mund ta ketë bombën duke e mbajtur marrëveshjen ose Irani mund ta ketë bombën duke e shkelur marrëveshjen”, tha Benjamin Netanyahu.

Sipas marrëveshjes, Irani është pajtuar që në mënyrë të rëndësishme t’i kufizoj aktivitetet e veta tomike në këmbim për lehtësim të sanksioneve ekonomike ndërkombëtare.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG