Ndërlidhjet

Trump: Konflikti në Ukrainë është problem i Evropës


Donald Trump
Donald Trump

Manjati i pronave të patundshme, Donald Trump, i cili kryeson garën republikane në Shtetet e Bashkuara për të marrë emërimin për garën presidenciale 2016, është përgjigjur me indiferencë të topitur ndaj anëtarësimit të mundshëm të Ukrainës në NATO.

“Të jem i sinqertë me ju, nuk do të brengosesha shumë nëse Ukraina anëtarësohet në NATO ose jo. Nëse po, mirë. Nëse jo, mirë”, ka thënë Trump për televizionin NBC.

Në një intervistë të zgjeruar, Trump ka folur shkurtimisht për Ukrainën, e cila është ngërthyer në një luftë me separatistët pro-rusë, që ka shpërthyer pasi Kremlini ka aneksuar Krimenë, në mars të vitit 2014.

Zgjerimi drejt lindjes i NATO-s ka zemëruar Moskën, ashtu si edhe deklaratat e liderëve pro-perëndimorë të Ukrainës dhe të zyrtarëve të NATO-s për anëtarësimin e mundshëm të Kievit në aleancën ushtarake.

Në intervistën për televizionin NBC, Trump po ashtu ka thënë se Evropa duhet të mbajë barrën e përgjegjësisë për t’u ngritur kundër Rusisë në konfliktin në Ukrainë.

“Nuk më pëlqen se çfarë po ndodh në Ukrainë. Por, ky është vërtet një problem që prek Evropën shumë më shumë sesa neve”, ka thënë Trump.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë udhëhequr përpjekjet ndërkombëtare për të ndëshkuar Rusinë me sanksione.

Rreth 6,400 njerëz kanë humbur jetën në konfliktin në lindje të Ukrainës, midis forcave qeveritare dhe atyre rebele, qysh në prill të vitit 2014.

Trump ka akuzuar Gjermaninë, kancelarja e së cilës, Angela Merkel, ka qenë një kritike thumbuese e Rusisë në konflikt.

“Nuk parapëlqej që ne të jemi kundër Rusisë për Ukrainën, kur Gjermania qëndron duarkryq dhe pranon gjithë naftën dhe gazin që mund të marrë nga Rusia”, ka thënë Trump.

Bashkimi Evropian merr rreth 30 përqind të gazit natyror nga Rusia, e cila raportohet se ka rritur furnizimet e saj me gaz në Gjermani për afro 50 përqind, në çerekun e dytë të këtij viti.

Trump, njëri prej miliarderëve më të zëshëm në SHBA, po e financon vetë fushatën e tij dhe ka thënë se është i gatshëm të shpenzojë një miliard dollarë për këtë qëllim.

Më 14 gusht, ai ka thënë se marrëdhëniet SHBA-Rusi janë “shkatërruar bukur mirë” nën presidentin Barack Obama dhe, nëse ai zgjidhet, “ai do të ketë marrëdhënie të mira me Rusinë dhe presidentin e saj, Vladimir Putin”.

I pyetur nëse do të rrokulliste sanksionet kundër Rusisë, Trump ka thënë se “kjo varet”, edhe Rusia “duhet të sillet mirë”.

Trump po ashtu ka bërë deklarata të ashpra kundër emigracionit të paligjshëm, duke u zotuar se, nëse zgjidhet, ai do të kthejë prapa të gjithë emigrantët e paligjshëm. (v.tela)

XS
SM
MD
LG