Ndërlidhjet

Tragjedia në Austri: 71 trupa, në mesin e tyre 4 fëmijë


Pamje e kamionit ku u gjetën viktimat
Pamje e kamionit ku u gjetën viktimat

Ministria e Brendshme e Austrisë ka bërë të ditur se 71 trupa pa jetë të migrantëve, kanë qenë në një kamion të braktisur, i cili është gjetur të enjten në një autostradë, pranë kufirit me Hungarinë.

“Sot, duhet t’ju informojmë se 71 njerëz kanë vdekur në këtë aksident tragjik. Në mesin e tyre 59 burra, tetë gra dhe katër fëmijë – përfshirë një vajzë dy vjeçe dhe tre djem midis tetë dhe dhjetë vjeç”, ka bërë të ditur Hans Peter Doskozil, shef i policisë së rajonit Burgendland, ku është gjetur kamioni.

Në një konferencë për media në Vjenë, ai ka thënë se viktimat duket se janë migrantë nga Siria dhe se, me gjasë, kanë vdekur nga asfiksia.

“Gjatë shqyrtimit të pistave të para, kemi zbuluar një dokument sirian të udhëtimit, andaj besojmë se viktimat janë një grup i refugjatëve sirianë. Jemi në gjendje të përjashtojmë se viktimat janë refugjatë nga Afrika”, ka thënë Doskozil.

Tre njerëz, që mendohet se janë bullgarë, janë arrestuar në Hungari. Ata besohet se kanë vozitur kamionin.

“Mund t’ju informoj se tre persona janë aktualisht në paraburgim në Hungari dhe presim që ata të na çojnë drejt autorëve. Besojmë se njëri prej autorëve, që është pronar i automjetit, është shtetas bullgar me prejardhje libaneze”, ka thënë Doskozil.

Policia në Hungari ka thënë më vonë se ka arrestuar edhe një shtetas afgan.

Ekipet mjekoligjore kanë thënë se viktimat, me gjasë, kanë qenë të vdekura kur kamioni ka hyrë nga Hungaria në Austri.

Kamioni me viktima mban logon e një kompanie sllovake të pulave - Hyza.

Kjo e fundit ka thënë përmes një deklarate se automjeti nuk i përket më firmës, porse pronarët e rinj nuk e kanë hequr logon.

Dhjetëra-mijëra migrantë nga konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Afrikë kanë bërë përpjekje të arrijnë Evropën gjatë muajve të fundit.

Një numër rekord prej 107,500 migrantësh kanë kaluar kufijtë e Bashkimit Evropian, muajin e fundit.

Shumica e tyre paguajnë shuma të mëdha për njerëzit kontrabandues që ua kalojnë në mënyrë të paligjishme kufijtë.

Shumë migrantë vazhdojnë të vdesin edhe gjatë përpjekjeve për të arritur Evropën përmes Detit Mesdhe.

Qindra njerëz dyshohet se kanë vdekur pasi dy anije me afro 500 migrnatë brenda, janë mbytur në brigjet e Libisë të enjten.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG