Ndërlidhjet

Mustafa: Për të pagjeturit, edhe në Bruksel


Në Ditën Ndërkombëtare për Personat e Pagjetur, e cila është shënuar edhe në Kosovë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka porositur faktorin ndërkombëtar që të bëjë presion ndaj Serbisë për hapjen e mundësve për hulumtime, gërmime të varrezave masive në Serbi, si dhe dhënien e informatave lidhur me qytetarët e Kosovës, të cilët janë grabitur dhe janë zhdukur nga forcat serbe gjatë luftës së fundit.

Porositë e tilla, kryeministri Mustafa i ka bërë pas homazhit para përmendores, dedikuar personave të pagjetur, në përkujtimin e të cilëve kanë marrë pjesë shumë familjarë, përfaqësues të shoqatave që i përfaqësojnë ata, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore.

“Kërkojmë që të hapen të gjitha arkivat, në mënyrë që të gjinden të gjitha të dhënat që do të mundësojnë zbardhjen e rasteve dhe, po ashtu, që gjithë ata që i kanë kryer këto veprime, të përgjigjen para ligjit. Duhet të përgjigjen të gjithë ata që kanë bërë gjenocid mbi popullatën tonë, të gjithë ata që kanë bërë krime mbi njerëz të pafajshëm dhe të gjithë ata që i kanë sjell familjet dhe Kosovën në këtë gjendje, që 16 vjet pas luftës të mos e dinë se ku janë mbi 1 mijë e 650 të afërm të tyre”, ka deklaruar kryeministri Mustafa.

Ai, po ashtu, ka theksuar se autoritetet e vendit kanë diskutuar me zyrtarët e Bashkimit Evropian që çështja e personave të pagjetur të jetë pjesë e bisedimeve në Bruksel.

“E kemi menduar dhe e kemi hapur edhe me zonjën Mogherini këtë çështje, në fillim të bisedimeve. Do ta hapim tani, sepse tani është krijuar mundësia që të hapen tema, të cilat janë shumë të rëndësishme për ne dhe unë mendoj se temë më e rëndësishme dhe më e vështirë - por edhe më meritore për t’u diskutuar dhe për të gjetur zgjidhje - se sa kjo e të pagjeturve, nuk ka”, ka shtuar Mustafa.

Edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, nëpërmjet një deklarate të shkruar për medie, ka theksuar se në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, çështja e të pagjeturve “është plaga më e thellë dhe njëra prej dhembjeve më të mëdha që vazhdon të rëndojë mbi secilin qytetar të Kosovës”.

Presidentja Jahjaga ka shtuar se është obligim i institucioneve të Kosovës që këtë çështje “ta përmbyllin sa më shpejtë, për të mundësuar një jetë të qetë për familjarët, si dhe njëkohësisht për të krijuar mirëbesimin mes qytetarëve tanë dhe për të ndërtuar paqen e qëndrueshme me fqinjët”.

“Zbardhja e fatit të të zhdukurve është përparësi e punës së institucioneve të Kosovës të cilat kërkojnë me këmbëngulje angazhimin me përgjegjësi te Republikës së Serbisë, në zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe kthimin e të gjithëve në Kosovë”, thuhet në deklaratën e presidentes Jahjaga.

Nysrete Kumnova, drejtuese e shoqatës së familjarëve të të pagjeturve “Thirrjet e nënave” nga Gjakova, ka theksuar se familjarëve po u shteron durimi përballë ankthit për të kuptuar fatin e më të dashurve të tyre.

“Vitet po kalojnë. Familjarët vazhdojnë të jetojnë në ankth, kurse fati i njerëzve tanë më të dashur vazhdon të mbetet enigmë. Pritja dhe durimi i familjeve sikur po shteron karshi premtimeve pa një limit kohor dhe pa asnjë strategji të duhur për t’i dhënë fund ankthit të pafund. Ne kemi të drejtë të dimë”, ka thënë Kumnova.

Por, Bajram Qerkini nga Këshilli Koordinues i Asociacionit të Familjarëve të të Zhdukurve, është shprehur se nuk do të heqin dorë asnjëherë nga kërkesa për zbardhjen e fatit të më të dashurve të tyre, të cilët janë zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

“Në këtë ditë ndërkombëtare, kur të gjithë ëndërrojnë se ku e kanë më të dashurin e vet, më vështirë se prindërit nuk e ka askush. Ta dini se ne, derisa të na lëshojë shpirti apo të zbardhet fati i më të fundit, nuk do të ndalemi, në një masë të vogël ose të madhe".

"Që nuk jemi në masë më të madhe, po duket, që nuk e kemi përkrahjen e institucioneve. Që nuk po bëhet zbardhja e fatit të të pagjeturve, e vërtetë është që ndërkombëtarët na kanë në qafë”, ka thënë Qerkini.

Pas luftës në Kosovë, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, pati evidencuar 6 mijë e 27 persona të pagjetur në vend.

Aktualisht, sipas të dhënave të institucioneve të Kosovës dhe shoqatave të familjarëve të personave të pagjetur, ende figurojnë edhe 1 mijë e 653 persona të pagjetur.

XS
SM
MD
LG