Ndërlidhjet

Bota dënon dhunën në Kiev


Roja e sigurisë kombëtare që pësoj me vdekje gjatë përleshjeve me protestuesit në Kiev.
Roja e sigurisë kombëtare që pësoj me vdekje gjatë përleshjeve me protestuesit në Kiev.

Fuqitë botërore kanë dënuar dhunën jashtë Parlamentit të Ukrainës dhe u kanë bërë thirrje ligjvënësve që të vazhdojnë me decentralizimin e qeverisë, në bazë të Marrëveshjes së Minskut për Paqe.

Në Kiev kanë shpërthyer të hënën përleshje midis protestuesve dhe policisë, pasi deputetët u kanë dhënë mbështetjen fillestare reformave për autonomi më të madhe të pjesës lindore të vendit.

Përshkallëzohet protesta në Kiev
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:58 0:00

Tre pjesëtarë të Gardës Kombëtare të Ukrainës janë vrarë nga predhat e një granate dhe mbi 120 persona të tjerë janë plagosur.

Deklaratat për shqetësim të Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Rusisë dhe Bashkimit Evropian janë bërë derisa kryeministri i Ukrainës, Arseniy Yatsenyuk, ka fajësuar ultra-nacionalistët për dhunën.

“Cinizmi i këtij krimi qëndron në faktin se, derisa Federata Ruse dhe banditët e saj janë duke bërë përpjekje dhe duke dështuar që të shkatërrojnë shtetin e Ukrainës në frontin lindor, të ashtuquajturat forca politike pro-ukrainase përpiqen të hapin një front tjetër në mes të vendit”, ka thënë Yatsenyuk.

Ai ka kërkuar burgim të përjetshëm për protestuesin që ka hedhur granatën.

Në një reagim të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë thuhet se “dhuna në rrugë është e papranueshme në çfarëdo rrethane, por dhuna ndaj vendimeve të një parlamenti të zgjedhur është edhe më shumë”.

“Në një shoqëri demokratike, ankesat duhet të adresohen në mënyrë paqësore dhe të ligjshme”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mark Toner.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, i ka cilësuar si “shumë shqetësuese” ngjarjet e fundit në Ukrainë dhe ka thënë se procesi legjislativ nuk duhet të rrezikohet nga dhuna.

Aleatët perëndimorë të Kievit i shohin reformat si shans për t’i dhënë fund konfliktit të armatosur në lindje të Ukrainës, i cili, gjatë 16 muajve të fundit, ka marrë mbi 6,800 jetë njerëzish.

Edhe një zëdhëns i Kremlinit e ka dënuar dhunën dhe ka thënë se reformat janë “imitim” i të vepruarit në përputhje me Marrëveshjen e Minskut.

Presidenti i Asamblesë Parlamenetare të OSBE-së, Ilkka Kanerva, ka thënë se “gjëja e fundit që i duhet Ukrainës është më shumë gjak i derdhur në tokën e saj dhe më shumë shkatërrim”.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG