Ndërlidhjet

SHBA: Fushatë për lirimin e të burgosurave politike


Fotografitë e grave të burgosura
Fotografitë e grave të burgosura

Shtetet e Bashkuara e kanë lansuar një fushatë për t’i theksuar rastet e femrave për të cilat Washingtoni thotë se janë “burgosur pa të drejtë” nga qeveritë në gjithë botën.

Në kuadër të kësaj nisme, që është shpallur të martën vonë nga ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara, Samantha Power, Departamenti Amerikan i Shtetit do t’i profilizojë 20 raste të femrave, për të cilat Shtetet e Bashkuara konsiderojnë se janë “të burgosura politike” ose “të burgosura për çështje interesi".

Në këtë fushatë do të profilizohet pilotja ushtarake ukrainase, Nadiya Savchenko, e burgosur në Rusi, e akuzuar se ka marrë pjesë në vrasjen e dy gazetarëve rusë që raportonin për konfliktin në Ukrainë, pastaj Leyla Yunus dhe Khadija Ismayilova, kritike të qeverisë së Azerbajxhanit, të burgosura për akuza, që ato i cilësojnë politikisht të motivuara.

Në këtë nismë përfshihey edhe aktivistja për të drejtat e njeriut në Uzbekistan, Matluba Kamilova, për të cilën organizata Human Rights Watch, thotë se ishte burgosur për ushtrimin e fjalës së lirë, pastaj studentja-aktiviste iraniane, Bahareh Hedayat, e cila ishte burgosur në vitin 2009, gjatë goditjes së autoriteteve, pas protestave për shkak të zgjedhjeve kontestuese presidenciale.

Lidhur me këto raste, ambasadorja Samantha Power, ka nënvizuar rëndësinë e fushatës...

“Duke i emëruar këto femra, ne po e dërgojmë mesazhin te qeveritë e tyre dhe ato të ngjashme me to: nëse ju dëshironi ta fuqizoni femrën, mos i burgosni ato në baza të pikëpamjes së tyre ose në baza të asaj që ato luftojnë për ato të drejta. Lironi këto 20 gra dhe lironi gratë e panumërta dhe vajzat sikur ato, që gjenden prapa grivale”, tha Samantha Power, para gazetarëve mbrëmë në Washington.

Departamenti amerikan i shtetit këtë nismë e ka quajtur #FreeThe20 dhe për çdo ditë do ta profilizojë një rast, në kohën kur muaj shënohet 20 vjetori i iniciativës së Kombeve të Bashkuara për forcimin e femrave “në të gjitha sferat e jetës publike dhe private”.

Kjo fushatë ka nisur me paraqitjen e rasttit të avokates për të drejtat e njeriut në Kinë, Wang Yu, e cila është burgosur nga policia në muajin korrik, në kuadër të goditjes gjithpërfshirëse kundër avokatëve dhe aktivistëve civilë.

“Ne do të vazhdojmë ta përsërisim rastin e emrit Wang Yu dhe grave të tjera si ajo, gjatë ditëve të ardhshme, pastaj femrat e guximshme si gazetarja në Azerbajxhan, Khadija Ismayilova, që është njëra nga 20 rastet, e cila është dënuar me 7.5 vjet burg”, tha Samantha Power.

Shtetet e Bashkuara janë shprehur “thellë të shqetësuara” për dënimin ndaj gazetares në Azerbajxhan, Khadija Ismayilova, duke e vlerësuar këtë rast “si një tjetër shembull të kufizimeve të gjëra në rritje në të drejtat e njeriut në Azerbajxhan, përfshirë kufizimet në lirinë e shtypit”.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të shtetit, Mark Toner, “ka kërkuar nga qeveria e Azerbajxhanit që ta lirojë zonjushën Ismayilova dhe të tjerët, të burgosur për shkak të ushtrimit të lirive të tyre fundamentale”.

“Ne theksojmë se gjykata ka refuzuar t’i rishqyrtojë provat dhe dëshminë nga ish-punëdhënësi, Radio Evropa e Lirë/Radio Liria, që kishte të bënte direkt me rastin e saj dhe akuzat, veçanërisht ato për krime financiare”, tha Mark Toner, mbrëmë vonë në Washinton.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG