Ndërlidhjet

Tiranë: Parlamenti miraton heqjen e imunitetit për deputetin Prenga


Kuvendi i Shqipërisë
Kuvendi i Shqipërisë

Me 118 vota për dhe 1 kundër, parlamenti i Shqipërisë ia ka hequr imunitetin Armando Prengës, deputet i Partisë Socialiste.

Këshilli i Mandateve dhe Rregullores i mbledhur të dielën nën drejtimin e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë Ilir Meta, ka miratuar me votë unanime kërkesën e Prokurorisë për autorizim nga ligjvënësit shqiptarë për arrestimin e Armando Prengës, me funksion deputet, duke ia përcjellë për votim sot parlamentit.

Në mbledhjen e djeshme të këshillit të Mandateve dhe Rregullores, ishte i pranishëm edhe deputeti Armando Prenga së bashku me avokatin e tij.

Ai ka qenë i prangosur, ndërsa ka deklaruar se çështja ndaj tij është e sajuar, dhe se ai do të pres me qetësi vendimin e parlamentit.

Deputeti Armando Prenga u arrestua paraditen e së shtunës. Sipas Prokurorisë, ai ka konsumuar veprat penale të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, “plagosje e rëndë me dashje” dhe “kanosje”.

Në kërkesën drejtuar Kuvendit, prokuroria argumenton se deputeti Prenga ka kryer vepra penale me rrezikshmëri të lartë shoqërore pasi është përfshirë në konfliktin me armë në qytetin e Laçit me pjesëtarë të familjes Cali.

Bazuar në materialet hetimore, prokuroria dyshon se deputeti Prenga ka përdorur një pistoletë tjetër nga ajo që kishte me leje me cilësinë e deputetit dhe në konflikt e sipër ka qëlluar në drejtim të shtetasit Tom Cali, duke e plagosur.

Gjithashtu, prokurorët thonë se gjatë këtij konflikti para Komisariatit të Laçit, deputeti Prenga me pistoletë në dorë ka kërcënuar duke i drejtuar armën pjesëtarëve të familjes Cali.

Ndërkohë, pak para përplasjes me armë para ambienteve të policisë, hetuesit argumentojnë se Prenga e ka goditur në kokë me qytën e pistoletës shtetasit Gjergj Cali, me të cilin është përleshur në rrugën Patok-Laç.

Sipas prokurorisë, referuar këtyre dyshimeve të ngritura mbi bazën e hetimit paraprak, zyra e kryeprokurorit Adriatik Llalla kërkoi nga Kuvendi që të miratojë arrestimin e deputetit Prenga dhe t’i hapë rrugë hetimit të plotë dhe të gjithanshëm nga ana e institucionit të akuzës.

Partia Socialiste e ka përjashtuar Armando Prengën nga grupi i saj parlamentar, ndërsa kryeministri Edi Rama njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste u shpreh në rrjetet sociale: “Përshëndes prokurorinë tani të heqim urgjent imunitetin e deputetit që ka punë me drejtësinë! ‪‎Tolerancë Zero për këdo qoftë që shkel ligjin”.

Aktin e deputeti Prenga e kanë dënuar edhe kryetari i Kuvendit Ilir Meta, edhe kryetari i Partisë Demokratike Lulëzim Basha.

Armando Prenga ka qenë deputet i Partisë Socialiste në dy legjislatura.

Nga një përplasje me armë zjarri pranë ambienteve të komisariatit të policisë në Laç, në orët e para të mëngjesit të së shtunës, mbetën të plagosur 7 persona.

Konflikti ka ndodhur mes pjesëtarëve të familjes Cali dhe Prenga.

Konflikti mes dy familjeve ka nisur më herët, dhe zanafillë për të ka qenë një tender për shfrytëzimin e lagunës së Patokut.

XS
SM
MD
LG