Ndërlidhjet

Rritet numri i të rinjve që kryejnë vetëvrasje


Ilustrim
Ilustrim

Mekanizmat e sigurisë në Kosovë dhe ekspertët e shëndetit mendor, kërkojnë nga institucionet e Kosovës që të mos e neglizhojnë dukurinë në rritje të rasteve të vetëvrasjeve, por të krijojnë mekanizma adekuat për parandalimin e kësaj dukurie.

Sipas statistikave zyrtare të Policisë së Kosovës, vetëm në pesëmujorin e parë të këtij viti, në Kosovë janë shënuar 20 raste të vetëvrasjeve dhe 64 raste të tentim-vetëvrasjeve.

Ndërkaq, viti 2012 është përmbyllur me 58 vetëvrasje dhe 343 raste të tentim-vetëvrasjeve, viti 2013 me 45 raste të raportuara të vetëvrasjeve e 236 raste të tentim-vetëvrasjeve dhe viti 2014 me 79 raste të vetevrasjeve te kryera dhe 246 rasteve të tentim-vetëvrasjeve.

Kështu ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, Daut Hoxha, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës.

"Policia i heton rastet kur dyshohet se personi është shtyrë të bëjë një veprim të tillë, pra shtyrja në vetëvrasje dhe ndihma në vetëvrasje është vepër penale. Ndërsa sa i përket faktorëve qe ndikojnë ne këto rrethana ato janë të ndryshme, varësisht nga rasti", ka deklaruar zoti Hoxha.

Sami Rexhepi, drejtor i Qendrës për Shëndetin Mendor në Prishtinë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se shqetësues mbetet fakti se vetëvrasje në Kosovë po kryejnë kryesisht moshat e reja.

"Ajo çka e karakterizon fenomenin e vetëvrasjes në Kosovë është se në mënyrë drastike është rritur numri i vetëvrasjeve në përgjithësi e posaçërisht të moshës së re. Nëse kërkohet një emërues i përbashkët këtu, atëherë është dëshpërimi dhe zhgënjimi, pasi që pritjet kanë qenë të mëdha pas luftës".

"Një studim më të hollësishëm duhet bërë dhe duhet të kyçen shumë akterë për ta gjetur shkaktarin. Por, realisht në Kosovë, nuk është bërë një hulumtim i tillë , e që do të duhej të ishte i vazhdueshëm", tha Rexhepi.

Në anën tjetër, Habit Hajredini, nga Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Qeverisë së Kosovës, thotë se janë duke punuar në strategjinë dhe planin e veprimit për parandalimin e vetëvrasjeve në Kosovë.

"Qeveria e Kosovës ka marrë hapa konkret për të adresuar këtë çështje. Është duke e hartuar një strategji dhe plan të veprimit lidhur me parandalimin e vetëvrasjeve në Kosovë dhe ka një mori veprimesh që duhet të marrin ministritë e linjës".

"Presim që në fund të vitit të bëjmë final këtë dokument, e që ka për synim parandalimin, edukimin, rehabilitimin, socializimin dhe fushata të ndryshme që presim t'i lansojmë në këtë aspekt. Jemi duke punuar ngushtë me gjithë akterët".

Zoti Rexhepi ndërkaq shton se shkaktarët e kryerjes së vetëvrasjes nuk janë të njohura, pasi që mungojnë hulumtimet dhe përkrahja institutcionale për këtë çështje.

"Gjithmonë flitet për parandalim në formë të fushatave, por nuk është marrë një hap institucional i kësaj çështjeje, ku do të ketë një luftë të vazhdueshme për parandalimin e vetëvrasjeve. Duhet të ketë një institutcion që do të merret me këtë problematikë dhe që do të punojë për këtë fenomen".

"Vetë ideja për vetëvrasje është një alarm për ndihmë, dhe këtë kërkesë për ndihmë nuk e kapim në momentin e duhur dhe na ikë. Po flasim për diçka që ka të bëjë me emocione dhe kjo ka të bëjë me një reaksion implulsiv, me një energji shumë të madhe për vetëshkatërrim".

"Këtu mundet shoqëria me ndihmu shumë, por gjithashtu edhe familja. Por, sa ne si shoqëri dhe profesionistë po bëjmë që t'i mbështesim ato familje që të ndihmojnë në moment të caktuar personat që tentojnë të vetëvriten..? Kjo është mënyra e parandalimit, dhe ne nuk bëjmë asgjë, sepse nuk janë vetëm medikamentet ato që ndihmojnë gjithmonë", tha Rexhepi.

Sidoqoftë, prej vitit 2001 deri në vitin 2011, sipas statistikave të policisë, vetëvrasje në Kosovë kanë bërë 673 persona, derisa tentim-vetëvrasje 2.142 persona.

Ndërkaq, gjinia mashkullore kanë kryer disa herë më shumë vetëvrasje, sesa gjinia femërore, por e kundërta e kësaj paraqitet te rastet e tentim-vetëvrasjeve.

XS
SM
MD
LG