Institucionet e Kosovës kanë miratuar ligjin me të cilin sanksionohet pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja dhe përveç tij, autoritetet në Kosovë janë duke hartuar edhe “Strategjinë Nacionale për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit që shpie në Terrorizëm”.
Edon Myftari, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, tha se Kosova në aspektin ligjor është e përgatitur të përballet me ekstremizmin e dhunshëm.
“Në aspektin ligjor kjo strategji, po ashtu edhe ligji që ndalon pjesëmarrjen në luftëra të huaja ka kaluar dhe disa segmente të tjera që po merren nga ministritë e linjës".
"Ne si Kosovë, si shtet, këto ligje dhe strategji na bëjnë shumë të përgatitur në raport me rajonin që të përballemi me ketë fenomen dhe këtë sfidë globale mund të them”, tha Myfari.
Ai ka sqaruar për Radion Evropa e Lirë se strategjia nacionale për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, përfshin segmente të shumta që ndërlidhen me parandalimin, intervenimin, si dhe deradikalizimin e personave të dhunshëm.
“Të gjitha fushat e mundshme të cilat preken nga ky problem do të trajtohen në ketë strategji. Përfshirja e shumë akterëve të ndryshëm, qoftë të institucioneve shtetërore dhe atyre jo shtetërore, të shoqërisë civile dhe bashkësive fetare, japin rendësinë dhe vëmendjen që do ta ketë dhe duhet ta ketë”, tha Myftari.
Disa nga organizatat joqeveritare në Kosovë kanë kritikuar institucionet e Kosovës për, siç kanë thënë ato, “moskoordinim të duhur kur bëhet fjalë për menaxhimin e situatave në sektorin e sigurisë dhe kërcënimet nga terrorizimi”.
Skënder Perteshi nga Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë konsideron se Kosova ka ligjin dhe do ta ketë edhe strategjinë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.
Ai thotë se këto dokumentet duhet të zbatohen në praktikë dhe jo vetëm të mbesin në letër.
“Strategjia, sidomos plani i veprimit lë shumë për të dëshiruar. Plani i veprimit duhet të jetë shumë i detajuar dhe të gjitha aktivitetet të cilat parashihen të bëhen; duhet të jetë një kohë e përcaktuar, secili aktivitet kur duhet të bëhet dhe cili institucion është përgjegjës për atë aktivitet. Për implementimin e kësaj strategjie kërkohet një involvim i gjithë shoqërisë, institucioneve shtetërore, por jo vetëm atyre. Kërkohet inkuadrimi i komunave, e sidomos i komunitetit mysliman në Kosovë”, u shpreh Perteshi.
Ai theksoi se nuk është duke u bërë sa duhet nga institucionet e Kosovës për të parandaluar, ngritjur vetëdijen dhe për të zhvilluar programe parandaluese të ekstremizmit të dhunshëm.
“Sepse faktori kryesor që mundet ta luftojë ekstremizmin dhe radikalizmin e dhunshëm në Kosovë është bashkëpunimi më i madh i komunitetit mysliman në Kosovë dhe institucioneve shtetërore. Ende është një zbrazëtirë në komunikim ndërmjet komunitetit mysliman dhe institucioneve të shtetit”, tha ai.
Në raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, mbi luftën kundër terrorizmit në botë gjatë vitit 2014, Kosova është vlerësuar si një vend me kërcënim në rritje nga ekstremizmi islamik.
Deri më tash, rreth 150 – 200 pjesmarrës nga Kosova në luftëra të huaja, dyshohet të kenë shkuar në Siri dhe Irak. Nga këta, rreth 20 raportohet të jenë vrarë, sipas të dhënave nga Departamenti Amerikan i Shtetit.