Ndërlidhjet

Qeveria do t’i eliminojë keqpërdorimet në prokurim


Ilustrim(@Shutterstock)
Ilustrim(@Shutterstock)

Ligji i ri i prokurimit publik në Kosovë, i cili pritet të miratohet në Kuvend, sipas përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës, do të ketë rregulla të reja të prokurimit publik, në mënyrë që të parandalohen keqpërdorimet që kanë mundur të jenë bërë në fushën e prokurimit.

Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tregon se me Ligjin e ri të prokurimit publik do të forcohet llogaridhënia dhe transparenca.

“Njëri ndër mekanizmat për rritjen e efikasitetit të shpenzimeve publike është edhe aplikimi i prokurimit elektronik, i cili nuk është bërë më herët, me anë të të cilit, sipas këtij programi, synohet prokurimi i rreth 12 për qind të shpenzimeve publike në projektet tenderuese, si dhe zvogëlimi i shpenzimeve administrative deri në 30 për qind”.

“Në këtë kontekst, është përgatitur projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për prokurimin publik, i cili tanimë është përcjellë në Qeveri dhe së shpejti pritet miratimi i tij”, bën të ditur Shahini.

Ligji i prokurimit publik është miratuar në vitin 2003; deri më tani ky ligj ka pësuar më shumë se pesë herë ndryshime.

Qëllimi i Ligjit për prokurim publik është që të sigurojë mënyrën më efikase, më transparente dhe më të drejtë të shfrytëzimit të fondeve publike dhe burimeve publike në Kosovë, duke përcaktuar kushtet dhe rregullat që do të zbatohen.

Janë rreth 700 milionë euro në vit të buxhetit të Kosovës, të cilat shpenzohen përmes prokurimit publik.

Për të gjitha këto mjete që shpenzohen përmes prokurimit publik, thekson Muharrem Shahini, nga Ministria e Financave, do të ketë shpenzim të drejtë.

“Ndryshimet, të cilat do të ndodhin me këtë projektligj, do të ndikojnë në rritjen e efikasitetit, transparencës, cilësisë së punëve, në shmangien e procedurave të komplikuara dhe në shtimin e vlerës së parasë. Po ashtu, është paraparë aplikimi i një sistemi të ri të licencimit të zyrtarëve që punojnë në fushën e prokurimit publik”, sqaron Shahini.

Fusha e prokurimit publik në Kosovë, nga përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe ekspertë të çështjeve ekonomike, vazhdimisht konsiderohej terreni më i përshtatshëm i keqpërdorimit të parasë publike.

Nga keqpërdorimet që janë bërë në fushën e prokurimit publik, përfaqësuesit e organizatës joqeveritare “FOL”, e cila merret me monitorimin e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike, kishin theksuar së janë vlera të mëdha të parasë që keqpërdoren.

Fidan Kalaja, nga Lëvizja “FOL”, thotë se nga hulumtimet që ata kanë bërë, është evidentuar se në fushën e prokurimit ka afera korruptive.

“Rreth 40 për qind e buxhetit të Kosovës shkon përmes procedurave të prokurimit. Nëse kësaj ia shtojmë 20 për qindëshin që keqpërdoret, atëherë i bie se rreth 100 milionë euro në vit këto mjete rrezikohen të keqpërdoren nga zyrtarët publikë, përmes procedurave të prokurimit”, thotë Kalaja për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), kishte konstatuar se në vitin 2014 ka pasur shkelje në fushën e prokurimit. Në 537 raste të raportuara, sipas këtij organi, nuk është respektuar Ligji i prokurimit publik.

Organi Shqyrtues i Prokurimit kishte theksuar se ka pasur parregullsi në vlerësimin e ofertave, në marrjen e vendimeve të gabuara për fituesit, në trajtim jo të barabartë të ofertave, në dosjet e tenderit, specifikimet teknike, kriteret për dhënie të kontratës dhe shkelje të tjera.

XS
SM
MD
LG