Ndërlidhjet

Migrantët në pritje të vendimeve diplomatike të BE-së


Migrantë në kufitin Greqi - Maqedoni
Migrantë në kufitin Greqi - Maqedoni

Zyrtarët e Bashkimit Evropian kanë nisur të hënën javën e aktiviteteve intensive diplomatike, për të gjetur një përgjigje të unifikuar ndaj krizës me migrantë.

Shumica e tyre, që ikin nga konfliktet në Siri, Irak dhe Afganistan, kërkojnë të marrin azil në Gjermani ose Suedi, por këto dy vende duan që partnerët e tyre të BE-së të tregojnë solidaritet dhe të shpërndajnë barrën.

Komisioni Evropian ka propozuar sistemimin e fillimisht 120,000 migrantëve, bazuar në kuota të detyrueshme për secilin vend anëtar të BE-së.

Por, shtetet lindore, si: Republika Çeke, Sllovakia dhe Hungaria, i kundërshtojnë kuotat.

“Do të vazhdoj të luftoj për përfshirjen e kuotave. Hapi i parë do të jetë shpërndarja e 120,000 refugjatëve në gjithë Evropën. Jam shumë e bindur se këto kuota do të jenë fillimi i fundit të udhëtimeve të azilkërkuesve”, ka thënë ministrja e Brendshme e Austrisë, Johanna Mikl-Leitner.

Austria, vetëm të shtunën, ka pritur mbi 10,000 migrantë.

Bashkimi Evropian do të mbajë një samit të liderëve më 23 shtator, për të diskutuar krizën më të rëndë me migrantë qysh nga Lufta e Dytë Botërore.

Kriza ka bërë që disa vende të BE-së të mbyllin kufijtë ose të vënë kontrolle të përkohshme.

“Nëse nuk kemi sukses në sigurimin e duhur të kufijve të Bashkimit Evropian, ne rrezikojmë idenë e një Evrope pa kufij”, ka thënë ministri i Jashtëm austriak, Sebastian Kurz.

Kriza me migrantë i ka dhënë po ashtu hov krimit të organizuar, shkruan gazeta The New York Times.

Sipas saj, trafikimi me njerëz është tani një biznes miliarda dollarësh, i cili është po aq fitimprurës - nëse jo më shumë - sa edhe tregtia me narkotikë të paligjshëm.

“Ky nuk është trafikim i migrantëve për punë ose i grave për qëllime seksi. Bandat kriminale u ofrojnë shërbime udhëtimi njerëzve të dëshpëruar, që ikin nga konflikti. Shërbimet e tyre përfshijnë dokumentacion të rejshëm, ryshfet rojeve kufitare dhe transport në rrethana të rrezikshme dhe shpesh vdekjeprurëse”, shkruan The New York Times.

“Mjerisht, masat që po ndërmarrin vendet për të luftuar vërshimin e refugjatëve, shërbejnë për ta bërë krimin e organizuar edhe më të fortë. Për aq kohë sa vendet evropiane dështojnë të zbatojnë një plan për shpërndarjen e refugjatëve, biznesi i njerëzve kontrabandues do të vazhdojë të rritet”, thuhet në artikullin e gazetës The New York Times.

Shtetet e Bashkuara, ndërkohë, kanë thënë se do të rrisin numrin e migrantëve që do të pranojnë, nga 70,000 në vitin 2015, në 85,000 vitin e ardhshëm dhe në 100,000 më 2017.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG