Ndërlidhjet

Të lumtur nën Shtetin Islamik në Raqqa?


Siri...
Siri...

Aktivistët sirianë kanë kritikuar një anketë ku thuhej se shumica e banorëve në qytetin Raqqa, i cili kontrollohet nga grupi ekstremist Shteti Islamik [IS], besojnë se IS-i ka pasur ndikim pozitiv në vend.

Sondazhi, i mandatuar nga BBC, dhe i bërë nga kompania hulumtuese e tregut ORB International, ka bërë matjen e opinionit publik në Irak dhe Siri.

Aty u pyetën 1,365 persona që jetojnë në 14 provinca të Sirisë, për çështje të ndryshme, përfshirë nëse mendojnë se a ka pasur grupi militant Shteti Islamik ndikim pozitiv apo negativ në vend.

Derisa shumica e qytetarëve u përgjigjën se ndikimi i IS-it ka qenë deri diku negativ apo tërësisht negativ -- rreth 53 persona të anketuar në qytetin e pushtuar të Raqqas thanë se IS-i ka pasur ndikim deri diku pozitiv apo tërësisht pozitiv në Siri.

Johnny Heald nga ORB International i tha BBC-së se para anketimit në zonat e kontrolluara nga IS-i, ekipi i tij kishte marrë leje nga kreu i qytetit për të anketuar qytetarët.

Heald tha për BBC-në se IS-i ishte pajtuar me anketimin sepse "ai vërteton se shumica e atyre që jetojnë në Raqqa janë më të lumtur që kur IS-i kanë marrë kontrollin".

"Ata mirëpresin sigurinë, shohin IS-in teksa mundohet t'iu ndihmojë njerëzve me elektricitet, me ushqim, me naftë. Në shumë aspekte është një temë të cilën ata janë të etur ta tregojnë", ka thënë Heald.

Por Abu Ibrahim Raqqawi, një aktivist i "Raqqa po Masakrohet në Heshtje" (RMH), një grup i cili dokumenton abuzimet e Shtetit Islamik, reagoi me mllef ndaj sondazhit të BBC-së dhe komenteve të Heald.

"Këto janë broçkulla", i tha Raqqawi Radios Evropa e Lirë.

"Është gënjeshtër. Njerëzit në Raqqa nuk janë të lumtur", shtoi ai.

Raqqawi gjithashtu sfidoi pretendimet e Healdit se IS-i u ka siguruar banorëve nevoja bazike dhe siguri.

Qytetarët në Raqqa "nuk kanë ushqim, rrymë dhe ujë", i tha ai Radios Evropa e Lirë.

Uji në Raqqa është "i papijshëm" dhe ka qenë i tillë që kur IS-i mori kontrollin e qytetit, bëri të ditur Raqqawi.

RMH kishte raportuar më 18 shtator që uji i pijshëm në qytetin al-Tabaqa, në perëndim të Raqqa është ngjyrë kafe dhe me krimba kohëve të fundit.

Qytetarët sirianë paguajnë çmime të larta për ujin, sipas aktivistëve.

Por, mbase dallon se kush anketohet.

Mbi të gjitha, Shteti Islamik u siguron rrymë pa pagesë dhe sigurim shëndetësor luftëtarëve të huaj që jetojnë në Raqqa.

Të frikësuar për t'u ankuar?

Pse do të duheshin qytetarët t'iu thoshin anketuesve se mendojnë se IS-i ka ndikim pozitiv, nëse nuk besojnë në një gjë të tillë?

Raqqawi tha se banorët janë shumë të frikësuar të tregojnë atë që e mendojnë.

Nëse ata refuzojnë të thonë se janë të lumtur në Raqqa, IS do t'i dënonte me heqje koke, shtoi ai.

"Njerëzit frikësohen nga çdo gjë", tha Raqqawi.

Shteti Islamik ka dënuar të gjithë ata të cilët kanë qenë kundër regjimit të grupit militant në Raqqa.

Militantët e IS-it kanë vrarë aktivistë që e kanë kundërshtuar, përfshirë të paktën një anëtar të RMH-së.

RMH kishte thënë këtë javë se janë duke hulumtuar nëpër internet kafe të Raqqas për të gjetur persona që po punojnë kundër tyre.

Si pjesë e sundimit të tyre terrorizues, Shteti Islamik ka ndërmarrë hapa t'i izolojë banorët me botën e jashtme, duke ua ndaluar internetin dhe duke ndaluar kanale televizive të huaja, të cilat militantët i konsiderojnë "të rrezikshme".

Anketimi në Raqqa

Pra, kë e ka anketuar ORB në Raqqa? Duke marrë parasysh atmosferën e frikës në zonat e kontrolluara nga Shteti Islamik, a munden me të vërtetë banorët të thonë çfarë mendojnë?

Radio Evropa e Lirë ka provuar të kontaktojë me zotin Heald për informata shtesë rreth metodologjisë së anketimit që u përdor në Raqqa, por nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga ai.

Henry Potts, ekspert i sondazheve në Universitetin e Londrës, ngriti disa pyetje që do t'i vinte për ORB-në, për të vlerësuar më mirë vlefshmërinë e sondazhit.

Potts tha se është e rëndësishme të dihet më shumë se si ORB provoi të intervistonte rastësisht njerëz në Raqqa.

Edhe pse anketuesit provojnë të kontaktojnë njerëz të zakonshëm, ata që përgjigjen me siguri nuk janë të zakonshëm -- dhe kjo mund të fusë paragjykime.

"Ne e dimë se ky është problem edhe në Britani dhe do të përkeqësohet nëse njerëzit janë të merakosur për mirëqenien e tyre", tha Potts.

Ai tha se njerëzit që tregohen të pasinqertë në sondazhe krijojnë situatë problematike edhe në Perëndim, sepse njerëzit ndonjëherë ndihen nën presion social për t'u përgjigjur në atë që mendojnë se anketuesit dëshirojnë ta dëgjojnë.

"Qartazi, situata në zonat e kontrolluara nga Shteti Islamik është shumë më e rrezikshme", tha Potts.

Përgatiti: Gresa Kraja
XS
SM
MD
LG