Ndërlidhjet

Beteja me fotoshop, falsifikimet e mediave ruse


Ambasadori amerikan në Rusi John Tefft.
Ambasadori amerikan në Rusi John Tefft.

Një rrjet udhëheqës televiziv në Rusi e ka publikuar një raport, ku e ka përdorur një fotografi të përpunuar me programin fotoshop, e cila pretendon të paraqes se ambasadori amerikan në Rusi, ishte i pranishëm në një protestë kundër qeverisë ruse të hënën në Moskë.

Kjo ka shkaktuar një valë të fotografive sarkastike të prodhuara nga Ambasada amerikane në Moskë, në mesin e të cilave edhe aterimi i ambasadorit në Hënë.

Kanali TV Ren më vonë ka kërkuar falje.

Ishte e garantuar se ky raport në këtë televizion do t’i nxiste mbështetësit e presidencës së Rusisë: Ambasadori amerikan në Rusi, John Tefft, merr pjesë në tubimin e aktivistëve opozitarë në Moskë, sikur bariu që e ruan grigjën e vet antiqeveritare.

Bile, në këtë aspekt, ishte paraqitur një fotografi që synonte të tregonte se zoti Tefft ishte në këtë ngjarje.

Paraqitet problemi madhor

Por, këtu ishte një problem madhor për raportin e rrjetit televiziv kombëtar REN-TV, që është lojal ndaj Kremlinit: John Tefft nuk ishte në atë protestë në Moskë, ndërsa fotografia e tij duke folur me gazetarët, me ç’rast në prapavijë shiheshin pjesëmarrësit e demonstratës, ishte e falsifikuar.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Moskë është përgjigjur në mënyrë sarkastike ndaj raportit në REN-TV se zoti Tefft e kishte kaluar ditën në pushim dhe duke i publikuar fotot e trajtuara me programin fotoshop, ku paraqitej ambasadori Tefft, duke folur para gazetarëve të njejtë, ndërsa në prapavijë ishin ngjarje famoze historike – përfshirë edhe kthimin e gjeneralit amerikan, Douglas MacArthur në Filipine, në vitin 1944!

Mediat që janë pronë shtetërore dhe aparati medial lojal ndaj qeverisë së Rusisë, për një kohë të gjatë e ka portretizuar opozitën ruse si Kolona e pestë, që i nënshtrohet Uashingtonit.

Rrjedhimisht, komentet në rrjetin Twitter, për artikullin në REN-TV, ishin brenda këtij konteksti.

“Shtetet e Bashkuara në mënyrë të qartë dhe hapur i kontrollojnë ngjarjet e paguara të opzitës”, ka komentuar një shfrytëzues në rrjetin Twitter, duke shtuar se “kjo tregon se për kë punon Navalny”.

Ky komentues i referohet kritikut udhëheqës të Kremlinit, Aleksei Navalny, njëherësh bloger kundër korrupsionit, i cili ishte ndër organizuesit e protestës.

Pranohet se fotografia ishte e falsifikuar

Pas përgjigjjes së Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Moskë, ndaj artikullit, rrjeti REN-TV dalngadalë e filloi tërheqjen e raportit. Së pari e editoi raportin duke thënë se “është e panjohur nëse këto pamje janë reale apo fotomontime të zakonshme”.

Më vonë gjatë ditës, rrjeti REN-TV e plotësoi raportin me një tekst ku pranohej se fotografia ishte e falsifikuar dhe ka kërkuar falje.

Pamja në fotografinë e fabrikuar në artikull ishte marrë nga një intervistë e ambasadorit Tefft më 28 shkurt në vendin afër Kremlinit, ku ishte vrarë lideri opozitar rus, Boris Nemtsov, një ditë më parë, pra më 27 shkurt.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe mbështetësit e tij i kanë akuzuar Shtetet e Bashkuara për orkestrimin e përmbysjes së qeverive dhe instalimit të liderëve properëndimorë në Evropën Lindore dhe në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, gjatë 15 viteve të kaluara.

Këto akuza Uashingtoni i ka cilësuar të pabaza.

Ambasadori Tefft, veçanërisht, ishte në qendër të shpifjeve në Rusi, si “diversionist diplomatik” i cili i ka nxitur kryengritjet në vendet që Moska i percepton se janë në sferën e saj të ndikimit, përfshirë Gjeorgjinë dhe Ukrainën.

Pjesa më e madhe e rrjetit REN-TV është pronë e Grupit Medial Kombëtar, që kontrollohet nga personi Yury Kovalchuk, njëri nga biznesmenët dhe zyrtarët e shumtë që janë nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara, për shkak të rolit të Rusisë në Ukrainë.

Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara e cilëson zotin Kovalchuk si “bankier personal” të zyrtarëve të lartë, përfshirë presidentin Putin.

Bordi i drejtorëve të Grupit Medial Kombëtar kryesohet nga ish-gjimnastja olimpike ruse, Alina Kabayeva, për të cilën për një kohë të gjatë ka thashethema se në mënyrë romantike është e afërt me Putinin. Këtë sugjerim ajo dhe zyrtarët e Kremlinit e kanë hedhur poshtë dhe kanë refuzuar të bëjnë komente.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG