Ndërlidhjet

Korrupsioni në Kosovë, i pranishëm kudo


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Zyrtarët e lartë të institucioneve të Kosovës kanë theksuar se vendi është duke u ballafaquar me nivel të lartë të korrupsionit.

Në takimin e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit, ata kanë deklaruar se korrupsioni është prezent gati në të gjitha institucionet e Kosovës.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, që drejton Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit, ka theksuar se rastet e korrupsionit duhet të trajtohen dhe të përmbyllen me një intensitet më të shtuar.

“Vonesat në trajtimin e rasteve të korrupsionit po zbehin besimin e qytetarëve tanë në institucionet tona. Qytetarët e Republikës së Kosovës janë aleati kryesor në luftën kundër korrupsionit”.

“Sinjalizuesit e veprave penale të korrupsionit, duhet të inkurajohen duke u mbrojtur nga institucionet, në mënyrë që të vazhdojnë raportimin tek institucionet dhe mediet. Sot nuk ka patriotizmin dhe nderim më të madh për shtetin tonë dhe të ardhmes së tij sesa vërtetimi dhe raportimi i veprave penale të korrupsionit”, ka theksuar Jahjaga.

Lufta kundër korrupsionit në shëndetësi dhe në arsim, ka shtuar Jahjaga duhet të jetë prioritet i institucioneve.

Shkalla e lartë e korrupsionit dhe e krimit të organizuar janë potencuar në raportet e progresit të Komisionit Evropian si edhe në raportet hulumtuese të organizatave tjera ndërkombëtare si një prej problemeve më të mëdha të zhvillimit të shtetit të Kosovës.

Kosova, ndërkaq sipas kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa nuk ka ndërtuar ende kritere të mjaftueshme ligjore dhe morale për ta luftuar korrupsionin.

Ai ka theksuar se korrupsioni është i pranishëm si në institucione qendrore ashtu edhe në ato lokale, është prezent në arsim në shëndetësi dhe në shtyllat tjera.

“Nuk mund ta luftojmë korrupsionin duke kërkuar peshq të mëdhenj ashtu siç kemi vepruar deri më tani, pasi që konsideroj që peshk i madh është çdonjëri që është i korruptuar”, ka theksuar Mustafa.

Ndërkaq, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka theksuar se autoriteteve të Kosovës për ta luftuar korrupsionin iu duhet shumë punë.

“Që nga ardhja ime në këtë shtet, nuk i kam bërë sekret prioritetet e mia, kam thënë se do të doja të punoj së bashku me qeverinë dhe qytetarët e Kosovës, për të forcuar sundimin e ligjit, për të ngritur sigurinë rajonale dhe për të promovuar rritjen ekonomike".

"Progresi në të gjitha këto fusha është jetik për Kosovën, që të gjejë vendin që i takon si anëtare e të gjitha institucioneve dhe grupeve kyçe euro-atlantike”, ka theksuar Delawie.

Mënyra se si po raportojnë zyrtarët e lartë të institucioneve të Kosovës në Këshillin Kombëtarë Kundër Korrupsionit, po kritikohet nga përfaqësues të shoqërisë civile.

Petrit Zogaj nga Lëvizja Fol në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, ka theksuar se ky këshill duhet të jetë më funksional në luftimin e korrupsionit në vend.

“Nuk duhet të jetë një këshill ku institucionet vinë dhe rrëfehen për problemet që kanë, por duhet të jetë një këshill ku jepen zgjidhjet. Fatkeqësisht institucionet që janë brenda këshillit dhe njerëzit brenda tyre janë njerëz që tregojnë një dembeli të punës së tyre”, ka theksuar Zogaj.

Ndryshe, Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit ishte themeluar nga presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga më 15 shkurt të vitit 2012 me qëllim parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në Kosovë.

XS
SM
MD
LG