Ndërlidhjet

Bisedime teknike për "plogështinë" e zbatimit të marrëveshjeve


Flamuri i Bashkimit Evropian, ilustrim
Flamuri i Bashkimit Evropian, ilustrim

Në mungesë të vullnetit për të zbatuar disa nga marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, të hënën dhe të martën të trija palët do të zhvillojnë bisedime në nivel teknik, në Bruksel.

Bëhet fjalë për marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Bisedimet e tilla teknike, nga analistët politikë në Prishtinë cilësohën si të paarsyeshme, nisur nga fakti se marrëveshjet e arritura është dashur të zbatohen me afatet e parapara në kohën e arritjes së tyre.

Ismail Hasani, sociolog dhe analist i çështjeve politike, thotë se në këtë drejtim përgjegjësinë më të madhe për moszbatimin e marrëveshjeve duhet ta mbajë Brukseli, si ndërmjetësues kryesor.

“Unë nuk e kam të qartë formatin e shkuarjes së delegacionit kosovar në Bruksel dhe cilat janë kërkesat e tyre. Në Bruksel ata mund të kërkojnë vetëm arsyen pse nuk ka filluar zbatimi i secilës nga marrëveshjet. [Marrëveshjet të arritura] quhen gjërat, të cilat janë kryer në zyrat e Brukselit, për të cilat ka pasur pajtueshmëri nga palët dhe është dashur që proceset të ecin përpara”, tha Hasani.

Kurse, analisti tjetër, Imer Mushkolaj, konsideron se pala e Kosovës gjithmonë është ajo e cila bën lëshime më të mëdha karshi Beogradit kur bëhet fjalë për marrëveshjet e arritura.

“Pala kosovare do të mundej fare lehtë që të zbatonte parimin e reciprocitetit në disa marrëveshje, në mënyrë që ta tregojë fuqinë e vet. Mirëpo, ne këtë deri tash nuk e kemi parë. Ne kemi parë thjesht një veprim jodinamik dhe një plogështi të palës kosovare në këto bisedime”, tha Mushkolaj.

Zoti Hasani thekson se marrëveshjet, të cilat janë arritur, e të cilat kanë të bëjnë me jetën e përditshme të qytetarëve, në asnjë rast nuk është dashur të diskutohen, por vetëm të zbatohen.

“Çështjet që janë të natyrës teknike, e që lidhen më përditshmërinë e jetës ndërmjet dy shteteve, sidomos të lëvizja e lirë e qytetareve, është dashur që të mos rinegociohen, të mos ketë rishikim të tyre. Është dashur që të fillojë implementimi i tyre që në momentin e arritjes së marrëveshjes”, tha Hasani.

Analisti Mushkolaj, konsideron se pala nga Kosova nuk është dashur të shkojë në Bruksel për këtë lloj të bisedimeve teknike. Sipas tij, nëse vazhdohet me këtë mënyrë të bisedohet me Beogradin, bisedimet nuk do të përfundojnë kurrë.

“Pala kosovare në ketë rast do të duhej të kundërshtonte vazhdimin e bisedimeve, respektivisht arritjen e marrëveshjeve të reja për marrëveshjet e mëhershme në fusha të ndryshme. [Kosova] do ishte dashur të bënte presion te Brukseli, në mënyrë që Brukseli si ndërmjetësues i bisedimeve të ndikojë te pala serbe që marrëveshjet të zbatohen”, u shpreh Mushkolaj.

Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, me herët për Radion Evropa e Lirë, pati thënë se në këto takime kryesisht do të bisedohet për problemet në moszbatimin e marrëveshjeve të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Temat që thuhet se do të diskutohen janë, midis tjerash, marrëveshja për lëvizjen e lirë, përfshirë këtu qarkullimi i automjeteve të Kosovës nëpër Serbi me ato që njihen si tabela regjistrimesh “provë”.

Prishtina dhe Beogradi kanë nënshkruar marrëveshjen për normalizim marrëdhëniesh më 19 prill 2013, në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG