Ndërlidhjet

Obama: Sulmet ruse në Siri, kundër-produktive


Presidenti Barack Obama gjatë konferencës, të premten më 2 tetor 2015
Presidenti Barack Obama gjatë konferencës, të premten më 2 tetor 2015

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, i ka hedhur poshtë pikëpamjet e Rusisë për krizën katërvjeçare në Siri, duke thënë se jo të gjithë njerëzit, që e kundërshtojnë regjimin e presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, janë terroristë, siç konsideron Rusia.

Duke folur të premten vonë në Shtëpinë e Bardhë, Obama, theksoi se qasja e Moskës në Siri është “recetë për shkatërrim”.

Ai vlerësoi se sulmet ajrore të Rusisë në Siri janë “kundër-produktive”.

Llojet e sulmeve ajrore kundër opozitës së moderuar në Siri, në të cilat Rusia është e angazhuar, do të jenë kundërproduktive. Do të na lëvizin më larg nga zgjidhja përfundimtare, të cilën të gjithë ne duhet ta kërkojmë”, tha Barack Obama, dhe ka shtuar se fokusi duhet të jetë në sulmet kundër ekstremistëve të Shtetit Islamik dhe të al-Kaidës.

Obama tha se aktualisht vetëm Irani dhe Rusia e mbështesin Assadin.

“Irani dhe Assadi e përbëjnë koalicionin e zotit Putin për momentin. Pjesa tjetër e botës e përbënë koalicionin tonë. Pra, nuk mendoj se njerëzit do të mashtrohen nga strategjia aktuale”, tha Barack Obama.

Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara po punojnë me Turqinë që të ndihmoj në sigurimin e kufirit të saj jugor me Sirinë dhe për përpjekjet për t’i mbështetur luftëtarët kurdë në pjesën lindore të Sirisë.

Këto komente u bënë derisa Rusia po ndërmerr sulme ajrore në Siri dhe në periudhën e rritjes së tensioneve diplomatike për qëllimet e Moskës në këtë vend të shkatërruar nga lufta.

Moska gjithnjë ka pretenduar, prej se i ka dërguar trupat dhe armatimet në Siri, muajin e kaluar, se ka për qëllim t’i shkaktoj disfatë terrorizmit.

Por, këmbëngulja e tij për të punuar me regjimin e Assadit dhe me sulmet e para ajrore, që duket se në shënjestër i kanë luftëtarët kundër Assadit, e jo pozicionet e militantëve të Shtetit Islamik, sipas Uashingtonit, i ka forcuar shqetësimet se qëllimi kryesor i Rusisë është mbajtja e Assadit në presidencë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, Igor Konashenkov, tha të shtunën se janë sulmuar nëntë komplekse të militantëve të Shtetit Islamik. Me këtë rast, sipas këtij zëdhënësi, janë shkatërruar pjesë të pajisjeve të rënda ushtarake, një depo e armatimit dhe një bazë e terroristëve.

Më herët, kjo ministri tha se aeroplanët e vet luftarakë e kanë qëlluar një qendër komanduese dhe të komunikimeve në provincën Alepo dhe një kompleks militant në Idlib.

Rusia tha se është qëlluar dhe shkatërruar edhe një qendër komanduese në provincën Hama.

Por, Observatori për të drejtat e njeriut me seli në Londër, që e monitoron konfliktin në Siri nëpërmjet rrjetit të vëzhguesve në terren, tha se grupi militant radikal, Shteti Islamik, nuk është i pranishëm në hapësirat që janë sulmuar nga ajri.

Turqia dhe partnerët e saj në koalicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër grupit ekstremist, Shteti Islamik, kanë kërkuar që Rusia t’i ndalë sulmet kundër opozitës siriane dhe të fokusohet në luftimin e militantëve të Shtetit Islamik dhe të al-Kaidës.

Kësaj thirrjeje i janë bashkuar edhe Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Gjermania dhe aleatët në Gjirin Arab.

Këto vende kanë shprehur “shqetësim të thellë” për fushatën e bombardimit të Rusisë në Siri, duke argumentuar se ajo paraqet “përshkallëzim të mëtejshëm” të konfliktit dhe vetëm do të nxisë më tepër ekstremizëm.

Përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në Bashkimin Evropian, Vladimir Chizov, i tha Televizionit shtetëror rus se ka “dyshime madhore për atë se për çfarë qëllimi është paraqitur ky mesazh” dhe është shprehur skeptik se nëse kjo kumtesë ka ardhur me të vërtetë nga Ministria e jashtme e Turqisë.

Kjo kumtesë gjendet në faqen në Internet të Ministrisë së jashtme të Turqisë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve se presidenti, Vladimir Putin, në bisedë me presidentin e Francës, Francois Hollande, ka theksuar se aksionet e Moskës në Siri janë në linjë me të drejtën ndërkombëtare dhe synojnë luftimin e terrorizmit.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG