Ndërlidhjet

Clinton, raportim maratonik para Kongresit


Hillary Clinton
Hillary Clinton

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ka dëshmar për 11 orë të plota para një komiteti të Kongresit, për sulmin vdekjeprurës në konsullatën e Shteteve të Bashkuara në Bengazi të Libisë, në vitin 2012.

“Sulmet terroriste në kompleksin tonë diplomatik dhe më vonë në postin e CIA-s në Bengazi të Libisë, më 11 shtator, 2012, kanë marrë jetën e katër amerikanëve të guximshëm: ambasadorit Chris Stevens, Sean Smith, Glen Doherty dhe Tyrone Woods. Jam këtu për të nderuar shërbesën e tyre”, ka thënë në fillim të dëshmisë Clinton.

Ajo ka thënë se ka marrë përgjegjësinë për sulmin, ndërsa ka zbatuar reforma në siguri pas tij.

Clinton ka thënë se është “e dhimbshme” të akuzohet për injorim të përmirësimeve të sigurisë, që mund të kishin shpëtuar jetët e amerikanëve të vrarë.

“Terroristët kanë vrarë më shumë se 65 pjesëtarë të personelit diplomatik amerikan qysh në vitet 1970 dhe më shumë se 100 kontraktorë. Që nga viti 2001, kanë ndodhur mbi 100 sulme kundër objekteve diplomatike të SHBA-së në gjithë botën. Nëse ju pyesni ambasadorët tanë më me përvojë, ata do t’ju thonë se nuk mund të bëjnë punën e tyre nga bunkerët”, ka thënë Clinton.

Republikanët dyshojnë se ka shumë mospërputhje në vlerësimet e Clintonit për atë që ka ndodhur dhe për atë që është mundur të bëhet për të parandaluar sulmin. Ata po ashtu kanë thënë se hetimet e mëparshme nuk kanë qenë mjaft të plota.

Në mënyrë të veçantë, Republikanët duan të dinë nëse sulmi në kompleksin diplomatik ka qenë sulm i planifikuar terrorist që ka mundur të parandalohet me masa të duhura të sigurisë apo ka qenë pjesë e protestave në gjithë rajonin, kundër një videoje që tallte Islamin.

Gjatë dëshmisë së saj, Clinton u është përgjigjur pyetjeve me qetësi, duke thënë se nuk mund të ketë askund siguri të përsosur.

“Amerika duhet të udhëheqë në një botë të rrezikshme dhe diplomatët tanë duhet të vazhdojnë të na përfaqësojnë në vende të rrezikshme”, ka thënë Clinton, njëherësh kandidate e Partisë Demokratike për presidente të Shteteve të Bashkuara në zgjedhjet e vitit 2016.

Kjo ka qenë paraqitja e dytë e Clintonit për këtë çështje para Kongresit të dominuar nga Republikanët.

Vëzhguesit kanë thënë se dëshmia ka qenë një moment i rëndësishëm për Clintonin për të forcuar pozicionin e saj si kandidate presidenciale, pasi rivali i saj potencial, nënpresidenti Joe Biden, e ka përjashtuar veten nga gara të mërkurën.

Republikanët në komitetin e Kongresit kanë qenë po ashtu nën presion për të dëshmuar se kanë arsye të forta për ta sjellë Clintonin para tyre dhe se nuk janë duke përdorur dëshminë vetëm si justifikim për të minuar kandidaturën e saj presidenciale.

Një gjë që është zbuluar nga puna e komitetit është se Clinton, sa ka qenë Sekretare e Shtetit, ka përdorur edhe emalin privat për punë zyrtare.

Sipas ligjit federal të Shteteve të Bashkuara, korrespondenca e zyrtarëve konsiderohet pronë qeveritare e SHBA-së.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG