Ndërlidhjet

Kriza me migrantë: BE dhe Ballkani pajtohen për një plan 17-pikësh


Presidenti i Komisionit Evropian Jean Claude Juncker.
Presidenti i Komisionit Evropian Jean Claude Juncker.

Zyrtarët në Kroaci kanë thënë të hënën se mbi 13,000 migrantë kanë hyrë në këtë vend nga Serbia, gjatë 24 orëve të fundit.

Në të njëjtën ditë, policia në Slloveni ka thënë se afro 10,000 migrantë kanë hyrë në territorin e saj nga Kroacia.

Autoritetet në Gjermani kanë bërë të ditur se 15,000 veta kanë arritur atje gjatë fundjavës, nga Austria.

Udhëheqës evropianë dhe të Ballkanit, janë pajtuar të dielën vonë për një plan bashkëpunimi 17-pikësh, për të përballuar fluksin e migrantëve, që ikin nga varfëria dhe dhuna në Afganistan, Siri dhe Afrikë, përmes Gadishullit Ballkanik.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ka thënë se një pjesë e planit përfshin krijimin e 100,000 vendeve shtesë në qendrat e migrantëve, përgjatë rrugës nga Greqia në Gjermani.

Juncker ka thënë se Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara, UNHCR, do ta ndihmojë Greqinë për të rritur kapacitetin e pritjes për refugjatë, me 30,000 vende të reja, deri në fund të vitit 2015.

Ai ka thënë se Greqia dhe UNHCR-ja do të punojnë po ashtu për të siguruar subvencione për qira.

Juncker ka thënë se mbështetja financiare për Greqinë dhe UNHCR-në pritet të shpërndahet.

Ai ka shtuar se UNHCR-ja do të mbështesë rritjen e kapaciteteve për pranim të refugjatëve edhe përgjatë rrugës së Ballkanit perëndimor.

Juncker ka thënë se mbështetja për këto projekte do të vijë nga institucionet ndërkombëtare financiare, si: Banka Evropiane e Investimeve, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka për Zhvillim e Këshillit të Evropës.

Juncker po ashtu ka thënë se liderët e Ballkanit janë zotuar se do të shpërndajnë informacione për refugjatët dhe se do të përmbahen nga ndërmarrja e vendimeve të njëanshme.

Agjencia kufitare e Bashkimit Evropian - Frontex pritet të shtojë aktivitetin përgjatë kufijve të Maqedonisë me Greqinë dhe Shqipërinë. UNHCR-ja po ashtu do të ketë një rol më të madh për të siguruar se të gjithë migrantët që kalojnë kufirin, regjistrohen.

Frontex planifikon të forcojë kufirin edhe midis Bullgarisë e Turqisë.

Një tjetër pikë e planit 17-pikësh është rritja e veprimit policor kundër kontrabanduesve të migrantëve dhe trafikuesve të qenieve njerëzore. Rol këtu do të ketë edhe mbështetja nga Europoli, Frontexi dhe Interpoli.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila i ka dhënë shtytje samitit në Bruksel, ka thënë pas bisedimeve se “Evropa duhet të tregojë se është kontinent i vlerave, kontinent i solidaritetit”.

“Të gjithë ne jemi të obliguar që t’i përmbahemi Konventës së Gjernevës për Refugjatë. Kemi disa kërkesa për dinjtet njerëzor”, ka thënë Merkel.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migrim, mbi 650,000 migrantë kanë arritur në Evropës, përmes detit, këtë vit, por numri i saktë, megjithatë, nuk dihet.

Konflikti në Siri vahzdon të jetë shkaktari më i madh i migrimit.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG