Ndërlidhjet

Bojkoti i seancës për MSA-në nga opozita, taktikë jo e qëlluar


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Qeveria e Kosovës, pasi ka ratifikuar projektligjin për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian, atë e ka proceduar në Kuvendin e Kosovës për miratim.

Kuvendi i Kosovës tashmë ka vendosur në agjendën e tij për ditën e hënë, 2 nëntor, që ta ratifikojë këtë projektligj.

Megjithatë, zyrtarët e bllokut opozitar kanë deklaruar se nuk do ta pengojnë seancën së hënës, ashtu siç kanë bërë deri tash, por nuk do ta votojnë projektligjin për MSA-në.

Zyrtarët nga Lëvizja Vetëvendosje thanë për Radion Evropa e Lirë se liderët opozitarë janë marrë vesh të mos shkojnë në seancën, në të cilën pritet të ratifikohet MSA-ja.

Teutë Rrusta, koordinatore e të gjitha qendrave të Lëvizjes Vetëvendosje, deklaron se subjektet opozitare janë marrë vesh që të mos marrin pjesë në seancën e së hënës.

Teutë Rrusta tha se ky vendim është marrë pasi që opozita, siç shprehet ajo “ka shumë vërejtje për këtë marrëveshje”.

“Subjektet opozitare jam marrë vesh që mos të marrin pjesë në këtë seancë, meqë ne kemi vërejtje për përbërjen e kësaj marrëveshjeje. Megjithatë, nuk do ta bllokojmë këtë marrëveshje, pasi që konsiderojmë se është e rëndësishme marrëdhënia kontraktuale me BE-në”, rikonfirmon qëndrimin e opozitës koordinatorja nga Vetëvendosje Teuta Rrusta.

Rrusta tregon se të hënën, liderët e subjekteve opozitare do të mbajnë një konferencë për media, ku do të bëjnë të ditur qëndrimin e plotë në lidhje me MSA-në.

Ajo përmend shkurtimisht se ku janë mospajtimet më të mëdha me këtë marrëveshje me BE-në.

Mjafton të themi që kushtëzimet që i bëhen Kosovës me MSA-në, për marrëveshjet me Serbinë, janë të padrejta. Marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropian duhet të jenë në baza barazie e reciprociteti, e jo të kushtëzuar prej marrëveshjeve me Serbinë. Një problem tjetër është që Kosova në MSA paraqitet me fusnotë”, thekson ajo.

Nga na tjetër, analistët politikë në Prishtinë konsiderojnë se mosratifikimi i MSA-së nga opozita, është një taktikë jo e qëlluar.

Analisti Imer Mushkolaj thotë për Radion Evropa e Lirë se opozita mund të vazhdojë me bojkotimin e seancave, por nuk do të duhej të vepronte me bojkot sidomos të hënën

“Pavarësisht përplasjeve partiake, përplasjeve politike, inateve që mund t’i kenë partitë në Parlament, unë besoj se MSA-ja do duhej që të votohej nga të gjithë nesër në Kuvend. Kjo edhe për shkakun se është një akt shumë i rëndësishëm, i cili në një farë forme e trason konkretisht rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian”, vlerëson Mushkolaj.

Mushkolaj konsideron se edhe sikur partitë opozitare të ishin në pushtet, do ta nënshkruanin një marrëveshje të tillë, pasi që, sipas tij, formati aktual i kësaj marrëveshjeje, ka qenë i vetmi i mundshëm.

Kosova ka nënshkruar më 27 tetor në Strasburg, Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian.

Nënshkrimi i këtij dokumenti shënon edhe vendosjen e parë të marrëdhënieve kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Marrëveshja për Stabilizim-Asociim kërkon nga një vend që synon anëtarësimin në BE, të sigurojë se mekanizmat e tij të qeverisjes dhe të shoqërisë civile, përmbushin standardet e BE-së.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, Kosova shpreh gatishmërinë dhe zotësinë e saj që t'i dëshmojë Bashkimit Evropian se është një shtet partner, shumë serioz, për t'i bërë të gjitha reformat e nevojshme".

Negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit kanë nisur para dy vjetësh, vetëm pasi Kosova është angazhuar në bisedimet me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve.

XS
SM
MD
LG