Ndërlidhjet

Kosova në UNESCO, Thaçi kërkon mbështetjen e Serbisë


Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi.

Kosova shpreson të marrë mbështetjen e mjaftueshme për t’u anëtarësuar në Agjencinë për Kulturë, Shkencë dhe Arsim të Kombeve të Bashkuara.

Konferenca e Përgjithshme e UNESCO-s ka nisur të martën punimet dhe kërkesa për pranimin e Kosovës është në agjendë.

Një nga pikat kryesore të ofertës së Kosovës është premtimi i saj për të mbrojtur trashëgiminë kulturore të serbëve.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka bërë thirrje Serbisë që të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe të shohë kah “një e ardhme e paqes, e pajtimit dhe e respektimit të vlerave kulturore historike”.

“Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO do të mbrojë dhe rikonfirmojë më mirë tashëgiminë kulturore dhe historike serbe”, ka thënë Thaçi për agjencinë The Associated Press.

Kosova ka aplikuar për t’u anëtarësuar në UNESCO në muajin shtator dhe, muajin e kaluar, Bordi Ekzekutiv i UNESCO-s ka rekomanduar pranimin e saj gjatë Konferencës së Përgjithshme, e cila do të zhvillojë punimet deri më 18 nëntor.

Serbia ka paralajmëruar se lejimi i Kosovës në UNESCO do të nxisë tensione dhe do të dëmtojë dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës.

Kosova është tashmë anëtare e dy agjencive të OKB-së, Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Për t’u pranuar në UNESCO, Kosovës i duhen dy të tretat e votave në Konferencën e Përgjithshme, e cila përbëhet nga 195 vende anëtare. (v.tela)

XS
SM
MD
LG