Ndërlidhjet

Republikanët përplasen për migracionin dhe rolin e SHBA-së


Foto arkivi
Foto arkivi

Kandidatët republikanë për president të Shteteve të Bashkuara kanë shprehur mbështetje për forcimin e kufijve, derisa kanë diskutuar në një debat televiziv, të martën mbrëma.

Migracioni, ekonomia dhe pozita e Shteteve të Bashkuara në botë kanë qenë temat kryesore të debatit që është zhvilluar në qytetin Milluoki.

Miliarderi Donald Trump ka thënë se SHBA nuk ka zgjedhje tjetër, pos të dëbojë imigrantët e paligjshëm.

“Ne jemi vend i ligjeve. Na duhen kufij. Do të kemi mur. Muri do të ndërtohet. Muri do të jetë i suksesshëm. Nëse mendoni se muret nuk bëjnë punë, atëherë pyesni Izraelin”, ka thënë Trump.

Senatori nga Teksasi, Ted Cruz, ka thënë se SHBA mund t’i përmbahet imigracionit ligjor, duke fuqizuar sundimin e ligjit.

Por, të tjerët nuk janë pajtuar. Guvernatori i Ohajos, John Kasich, ka thënë se plani për të dëbuar 11 milionë imigrantë të paligjshëm, që ndodhen aktualisht në SHBA, është “çmenduri”. Ai ka mbështetur një sistem, sipas të cilit, ata që i binden ligjit, mund të paguajnë gjobë për të qëndruar.

Ish-guvernatori i Floridës, Jeb Bush, ka thënë se deportimi i imigrantëve të paligjshëm do të ndante familjet. Ai ka thënë se duhet t’iu lejohet njerëzve që të fitojnë statusin ligjor me kalimin e kohës.

Duke folur për tema të tjera, Trump ka shprehur mbështetje për aksionet ushtarake të Rusisë në Siri, ndërsa ka vënë në pikëpyetje ndihmën që u dërgohet rebelëve të moderuar. Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara nuk mund të jenë polic i botës.

Bush, i cili së bashku me Kasichin dhe biznesmenen Carly Fiorina kanë bërë thirrje për zonë të ndalim-fluturimit mbi Siri, ka thënë se Amerika duhet të jetë udhëheqëse dhe se është “tragjike” që Iraku dhe të tjerët flasin me Rusinë.

“Ne nuk do të bëhemi polic i botës, por lider në botë”, ka thënë Bush.

Fiorina ka bërë thirrje për rindërtimin e sistemeve të mbrojtjes raketore në Poloni dhe për dërgimin e mijëra trupave shtesë në Gjermani, me qëllim që t’i dërgohet mesazh presidentit rus, Vladimir Putin, se SHBA qëndron me aleatët e saj.

Një nga shkëmbimet më të nxehta në debat ka ndodhur kur senatori i Kentakit, Rand Paul, ka sulmuar senatorin e Floridës, Marco Rubio, për buxhetin e mbrojtjes, duke thënë se nuk është e mundur të jesh konservator, derisa je liberal në shpenzimet ushtarake.

“E di se bota është një vend më i sigurt dhe më i mirë kur Amerika është fuqia më e madhe ushtarake në botë”, është përgjigjur Rubio.

Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara duhet ta bëjnë ushtrinë e tyre “më të madhe, më të mirë dhe më të fuqishme”.

Kandidati tjetër republiakn, neurokirurgu Ben Carson, i cili është përballur me pyetje për disa pjesë të biografisë së tij, në këtë debat nuk është sulmuar shumë.

Ai dhe Trump janë favoritë në sondazhet e opinionit.

Debati mbrëmë është organizuar nga Fox Business.

Zgjedhjet e para, në të cilat republikanët dhe demokratët zgjedhin të nominuarin e tyre presidencial, nisin në muajin shkurt në shtetin Ajoa. (v.tela).

XS
SM
MD
LG