Ndërlidhjet

Klinika Pediatrike me mungesë aparaturash


Ilustrim
Ilustrim

Në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka mungesë të aparaturave të nevojshme.

Kjo mungesë krijon vështirësi për zyrtarë shëndetësorë në diagnostikimin apo edhe trajtimin e fëmijëve.

Drejtori i kësaj klinike, Muharrem Avdiu, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se mungesa e buxhetit për klinikë, gjatë tërë vitit ka qenë evidente.

''Këtë vit nuk kemi pasur rastin të gëzohemi, pasi që QKUK-ja nuk ka investuar asnjë euro në Klinikën e Pediatrisë. Mungesa e aparaturave na shkakton problem, dhe kemi nevojë me u përcjellë në mënyrë të vazhdueshme, pasi që edhe numri i doktorëve të rinj është në rritje. Zakonisht analizat e nevojshme të fëmijëve kryhen në institutcione private".

Ndërkaq Sami Uka, zyrtar për shëndetin e nënës dhe fëmijës në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, ka thënë se rekomandimet e kësaj organizate në shërbimet pediatrike janë zbatuar në masë të madhe, por ende ka shumë punë për t’u bërë.

''Mungesa e aparaturave është brengosëse, por qysh në vitin 2008 kur është përmbyllur faza emergjente e ndihmës së OBSH-së dhe organziatave tjera, nuk kemi mundësi të mbështesim me aparatura institutcionet shëndetësore, sepse nuk është në përputhje me misionin tonë. Mendoj që duhet gjenden burime pasi që pa sigurimin e paisjeve të duhura nuk mund as të ketë cilësi të shërbimeve shëndetësore'', tha Uka.

Ndryshe, Emiratet e Bashkuara Arabe tashmë kanë zyrtarizuar fillimin e planeve për ndërtimin e një qendre Pediatrike Kirurgjike në Prishtinë.

Për ndërtimin e kësaj qendre do të dhurohen 22 milionë euro, dhe parashihet të hapet në verën e vitin 2017. Spitali sipas zyrtarëve kompetent do të jetë i pajisur me teknikë moderne.

Ndërkaq sa i përket vdekshmërisë së fëmijëve në Kosovë, Avdiu thekson se ndër vite ky fenomen po shënon rënie.

“Vdekshmëria e fëmijëve ka shënuar rënie ndër vite. Në nivel të repartit intenziv vdekshmëria është rreth 4 për qind, derisa 0.7 për qind në nivel klinike. Për shembull në vitet e 90-ta ka pasur 10 raste të vdekjes së fëmijëve brenda 24 orësh".

"Kryesisht janë problemet me kardiologji, pulmologji, sëmundje neuro-degjenerative apo sëmundjet hematologjike, ato që parashihen të përfundojnë me fatalitet. Por, edhe këto sëmundje kanë shënuar rënie ndër vite‘’, shpjegon Avdiu.

Sidoqoftë edhe cilësia e shërbimeve shëndetësore në Klinikën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare, si qendër referente për tërë Kosovën, nuk duket të jetë në nivel të kënaqshëm, ndonëse po shënon ngritje, deklarojnë zyrtarë shëndetësorë.

XS
SM
MD
LG