Ndërlidhjet

"AMA 2015" nderon viktimat në Paris


Jennifer Lopez
Jennifer Lopez

Në ceremoninë e ndarjes së Çmimeve Muzikore Amerikane (AMA) në Los Anxhelos, janë nderuar viktimat e sulmeve terroriste në Paris.

“Sonte ne i nderojmë viktimat e dhunës së paimagjinueshme që ndodhi në Paris, në 13 nëntorin vdekjeprurës, në gjithë Parisin” , tha aktori dhe muzikanti, Jared Leto, dhe ka shtuar se në mënyrë specifike nderohen 89 njerëzit, që u vranë në sallën e koncerteve, Bataclan.

Zoti Leto tregoi se në këtë sallë kishte mbajtur një koncert “të mrekullueshëm dhe paqësor” në fillim të këtij viti, së bashku me grupin e tij “30 sekonda në Mars”.

Këngëtarja e njohur, Celine Dion, e interpretoi këngën klasike franceze të Edit Piafit, “Hymne a l’amour” (Himni i dashurisë), në përkujtim të 130 personave të vrarë në sulmet terroriste në Paris, raporton agjencia Reuters.

Sa u përket çmimeve muzikore, grupi britanik, One Direction, u shpall fitues në kategorinë artisti më i mirë i vitit (për të dytën herë me radhë) dhe po ashtu, për të tretën herë me radhë e fitoi çmimin për albumin më të mirë pop/rok; kësaj radhe me albimin “Made In The A.M.”

Fituese madhore ishte edhe Taylor Swift, e cila ishte 6 herë e nominuar, dhe i fitoi tri çmime. Ajo nuk ishte në ceremoninë e ndarjeve, e cila u zhvillua mbrëmë vonë.

Moderatore e mbrëmjes ishte këngëtarja e njohur, Jennifer Lopez, e cila theksoi se kjo natë është “për muzikë dhe muzika e këtij viti më ka bërë të dëshiroj të vallëzoj”.

XS
SM
MD
LG