Ndërlidhjet

Strategji të reja për anëtarësim në organizata ndërkombëtare


Ilustrim
Ilustrim

Dështimi i Kosovës për anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), thuhet se mund të përcjellë vështirësi për t’u anëtarësuar në mekanizma të tjera rajonal dhe ndërkombëtar.

Por, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës theksojnë se bashkë me partnerët ndërkombëtarë, kanë formuar grup punues për proceset aplikuese në organizata dhe instrumentet shumëpalëshe ndërkombëtare.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Qeverisë së Kosovës Petrit Selimi, tha për Radion Evropa e Lirë, se Kosova është duke punuar intensivisht për anëtarësime në mekanizmat ndërkombëtar.

“Duke marrë parasysh ndjeshmërinë e çështjes edhe fushatën e egër të fqinjëve tanë për të gjithë hapat konkret do të kemi paraqitje mediale pasi që ato [anëtarësime] të ndodhin".

"Edhe ketë vit ende pa përfunduar edhe për vitin e ardhshëm e kemi një listë të zgjeruar të organizatave ndërkombëtare dhe instrumenteve të ndryshme shumë palëshe në të cilat Kosova e ka ndërmend të aderojë në mënyrë të organizuar dhe me ndihmën e partnerëve të Kosovës”, tha Selimi.

Anëtarësimi në Procesin e Bolonjës nuk do të ndodhë së shpejti ashtu siç ishte pritur dhe kjo duket se po shënon pasojat e para serioze të Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, deklarojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.

Në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, thonë se pas aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Kosova mund të bëhet pjesë e Procesit të Bolonjës.

Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës, Arsim Bajrami, tha për Radion Evropa e Lirë, se Kosova ka plotësuar kushtet që të jetë pjesë e Procesit të Bolonjës.

“Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Jashtme, janë duke u përpjekur që të aplikojnë për Këshillin e Evropës dhe në atë moment sekretariati i Bolonjës është i gatshëm që të shqyrtojë kërkesën tonë tani më shumë se dy vjet në pritje".

"Në takimet që kam pasur me shumë ministra të Arsimit të Bashkimit Evropian, kam marrë konfirmime që ata do të votojnë pro pranimit të Kosovës në sistemin e Bolonjës. Kështu që ne po presim që të përfundojnë procedurat e qeverisë për aplikim në KE, pastaj të përfundojmë procesin e pranimit tonë në Bolonjë”, tha Bajrami, duke shtuar se Kosova që nga viti 2003 ka filluar të zbatojë modelet dhe standardet e Bolonjës.

Procesi i Bolonjës është një reformë madhore në sistemin e arsimit evropian i krijuar me qëllim që të gjenden përgjigje për çështje si përgjegjësia publike për arsimin e lartë dhe kërkimin.

Shenoll Muharremi, njohës i integrimeve evropiane, konsideron se Kosova dhe institucionet e saj duhet të kenë qëllime të caktuara kur bëjnë kërkesë për anëtarësim në ndonjë mekanizëm ndërkombëtar dhe siç thotë ai, “jo vetëm sa për të thënë se kemi aplikuar”.

Muharremi konsideron se është mirë që të tejkalohet çështja e UNESCO-s, të mësohet nga ato dështime dhe puna në Ministrinë e Jashtme të bazohet në punë praktike.

“Fokusi i Qeverisë së Kosovës, patjetër që duhet me qenë edhe në zhvillimet dhe reformat e brendshme të cilat e forcojnë kredibilitetin e Kosovës dhe kredibiliteti mund të përdoret si mjet për anëtarësime në forume të ndryshme".

"Ne duhet t'i bëjmë prioritet tona, për mendimin tim çështja më prioritare e politikes së jashtme sa i përket anëtarësimeve dhe njohjeve është që të fokusohet në pesë shtete anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën. Ne do të kemi telashe të mëdha pas 2-3 vitesh kur do të bëjmë hapa më serioz drejt anëtarësimit”, tha Muharremi.

Konferenca e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), nuk votoi më 9 nëntor në favor të pranimit të Kosovës në këtë organizatë.

Për pranimin e Kosovës në UNESCO, duheshin votat e më shumë se dy të tretat e vendeve anëtare të kësaj organizate.

Më 21 tetor, Bordi ekzekutiv i UNESCO-s, me shumicë votash kishte vendosur që ta rekomandojë propozimin për pranimin e Kosovës në këtë organizatë. Kërkesa e Kosovës për anëtarësim është paraqitur zyrtarisht nga Shqipëria.

XS
SM
MD
LG