Ndërlidhjet

VOX: Interesim i madh për lajmet ndërkombëtare


Ilustrim
Ilustrim

Në rubrikën e përjavshme “VOX”, të Radios Evropa e Lirë, kemi marrë mendimet e disa të rinjve rreth asaj se sa u interesojnë dhe sa i ndjekin ata lajmet ndërkombëtare.

Lajmet ndërkombëtare nga disa të rinj përcillen me shumë interesim. Por, ka edhe nga ta, të cilëve nuk u interesojnë edhe shumë ato, krahasuar me lajmet vendore.

Blerta Mahmuti, ekonomiste, tregon se cilat lajme i përcjell më shumë:

“Varësisht prej zhvillimeve i përcjelli lajmet ndërkombëtare. Kohëve të fundit ka shumë zhvillime, si ato për sulme terroriste dhe na tërheq vëmendjen pothuajse të gjithëve që t’i përcjellim”.

Pal Tolaj, ekonomist me profesion, thotë se me shumë interesim i përcjell lajmet ndërkombëtare. Sipas tij, janë shumë më të besueshme dhe të pavarura nga politika, krahasuar me lajmet e medieve vendore.

“Lajmeve vendore nuk ju besoj fare, derisa lajmet ndërkombëtare në mediat ndërkombëtare, i përcjelli, pasi që ata nuk janë të ndikuar nga politika dhe kanë gazetari profesionale, andaj edhe ju besoj”, konsideron Pali.

Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:52 0:00

Ndryshe, mediume ndërkombëtare në gjuhën shqipe, tëcilat veprojnë në Kosovë, janë Radio Evropa e Lirë dhe Zëri i Amerikës.

Për 16 vjet të punës së redaksisë në gjuhën shqipe, Radio Evropa e Lirë ka arritur të gëzojë respektin dhe besueshmërinë e opinionit.

Përveç radios, një angazhim i shtuar i është kushtuar edhe informimit nëpërmjet faqes së saj në internet, ku përfshihen edhe lajmet ndërkombëtare, e cila vazhdon të jetë e lexuar dhe shumë e cituar nga të gjitha mediat, pa përjashtim.

Edona Kelmendi, studente në Fakultetit të Edukimit, thotë se më shumë i interesojnë lajmet nga Kosova, krahasuar me ato ndërkombëtare.

Më shumë i shikoj mediat vendore, më intereson situata që na rrethon neve. Edhe lajmet ndërkombëtare mendoj se janë të rëndësishme, por nuk u kushtoj shumë rëndësi”, thotë Edona.

Qëndrim Shala, thotë se ndjek studimet në Fakultetin Juridik dhe duke qenë student, tregon se nuk ka shumë kohë që të përcjellë lajme.

“Jam student dhe nuk kam shumë kohë. Por, nëse duhet të zgjedh lajmet, i përzgjedh lajmet ndërkombëtare, pasi që mendoj se lajmet vendore na mbytën krejt”, shprehet Qëndrimi.

Studentja Marigona Morina, thotë se i përcjell lajmet ndërkombëtare. Ajo jep arsyet pse:

“Më shumë interesohem për lajmet ndërkombëtare, pasi që mendoj se nuk ka diçka të re në Kosovë, korrupsion, gjëra rreth politikës, në Facebook i gjen të gjitha lajmet vendore. Derisa lajmet ndërkombëtare dhe zhvillimet e fundit, janë më interesante”.

Por, jo edhe Naim Gashit, 25 vjeçar, i diplomuar në Fakultetin e Edukimit, i interesojnë lajmet ndërkombëtare para atyre vendore.

“Më shumë se 10 minuta në ditë nuk shikoj lajme. Normalisht, që lajmet vendore i shikoj dhe më interesojnë më shumë se lajmet ndërkombëtare. Edhe lajmet ndërkombëtare i përcjell, por së pari duhet të kesh informata për vendin tënd, e mandej për të huajt”, thotë Naimi.

Derisa Edmonda Kalaja, dramaturge me profesion, thotë se lajmet ndërkombëtare i përcjell shumë:

“I përcjelli shumë lajmet ndërkombëtare, sidomos tash për sulmet në Paris, si dhe kërcënimet që po ndodhin në vende tjera të Evropës nga ISIS-i. Edhe televizionet kombëtare i përcjelli, por sidomos më shumë BBC, Euro Neës , CNN. Mendoj se më mirë informohem nga mediat ndërkombëtare”.

Ndryshe, seksioni në gjuhën shqipe i Radios Evropa e Lirë, është vetëm një nga 28 seksionet në gjuhë të ndryshme botërore të Radios Evropa e Lirë, e cila transmeton në 21 vende. Ajo është themeluar nga Kongresi Amerikan dhe ka filluar transmetimin që nga viti 1951.

XS
SM
MD
LG