Ndërlidhjet

Prodhimet cilësore të Kosovës, në tregun evropian


Ekspozitë e produkteve vendore
Ekspozitë e produkteve vendore

Produktet të cilat prodhohen në Kosovë nga pronarët e këtyre kompanive po vlerësohen të jenë cilësore dhe se përmbushin standarde ndërkombëtare. Si prodhime cilësore që janë, thonë ata, kanë arritur të depërtojnë edhe në tregun rajonal dhe atë evropian.

Në qytetin e Suharekës, veprimtarinë e saj që nga viti 1992 e zhvillon Fabrika për Prodhimin e Këpucëve, “Solid”.

Përfaqësues të kësaj kompanie thonë se përveç mbulimit të një pjesë të madhe të tregut kosovar, prodhimet e “Solid”-it, tashmë kanë depërtuar në tregun e Bashkimit Evropian.

Gresa Kuqi, nga kjo kompani, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, ka treguar se pas shumë sfidave që kanë pasur gjatë punës së tyre, kompania e tyre ka arritur të ketë prodhime të një cilësie të lartë.

“Gjatë tërë këtyre viteve prioritet e kemi pasur të bëjmë këpuca të lëkurës dhe të një kualiteti mjaft të mirë. Kompania Solid është e cilësuar edhe me ISO standarde të cilat tregojnë kualitetin dhe qëndrueshmërinë e këtyre këpucëve. Ajo që e tregon kualitetin e këpucëve ‘Solid’, është bashkëpunimi me vendet e Bashkimit Evropian".

“Këpucët ‘Solid’, mbulojnë tregun e Kosovës 100 për qind, por produktet tona mund të gjenden edhe në Francë, Itali, Gjermani, Qipro, Kroaci, Serbi, Mali i Zi, Shqipëri, Greqi dhe shumë shtete të tjera”, ka treguar Kuqi.

Fabrika për prodhimin e këpucëve "Solid", ka të punësuar mbi 250 punëtorë, derisa kapaciteti i kësaj fabrike është afër 2000 këpucë në ditë.

Kjo kompani në bashkëpunim me Programin e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), tregon Gresa Kuqi nga kjo kompani, së shpejti do të fillojë edhe më një linjë të re të prodhimit të këpucëve për fëmijë.

Në tregun evropian, me produktet e saj ka depërtuar edhe kompania “Laberion”, që merret me prodhimin e lëngjeve natyrale “Dona” dhe “EKS”.

Bashkim Osmani, pronar i kësaj kompanie i ka thënë Radios Evropa e Lirë se që nga viti 2005 janë të pajisur me certifikata që dëshmojnë se plotësojnë standardet ndërkombëtare.

“Unë mund të them me plot përgjegjësi dhe plot siguri që këto lëngje janë cilësore e kanë një konsumator të fuqishëm në tregun vendor, por edhe në tregun rajonal dhe evropian”, ka treguar Osmani, duke shtuar se mbi 30 për qind e asaj e cila prodhohet në këtë kompani eksportohet në vendet e rajonit dhe në shtetet tjera si në Suedi, Norvegji, Holandë dhe në shtetet e tjera.

Prodhuesit nga Kosova presin që me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, t'u lehtësohet tregtimi me vendet evropiane.

Pirro Piraj menaxher në industrinë e mishrave “MEKA”, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka shumë barriera në të bërit biznes në Kosovë, por që janë duke punuar që në një të ardhme të afërt të jenë edhe në tregun evropian.

“Kompania jonë ofron produkte shumë cilësore për tregun e Kosovës, njëkohësishteksportojmë në Shqipëri dhe në vendet e rajonit, por fatkeqësisht nuk mund të eksportojmë në Evropë ndoshta për shkak të barrierave. Por, shpresojmë që në njëtë ardhme edhe në të jemi prezent me produktet tona në Evropë”, tregon Pirraj.

Ndryshe, përfaqësues që mbrojnë interesat e prodhueseve në Kosovë vazhdimisht kanë theksuar se prodhuesit po ballafaqohen me probleme të shumta gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre.

Në mungesë të infrastrukturës së nevojshme, shumë herë produktet e tyre nuk kanë mundur të jenë konkurrente në treg.

XS
SM
MD
LG