Ndërlidhjet

Katër shqiptarë të Kosovës, të dyshuar për terrorizëm


Policia e Kosovës, ilustrim
Policia e Kosovës, ilustrim

Policia në Kosovë dhe në Itali ka arrestuar katër shqiptarë të Kosovës, nën dyshimet se kanë bërë përpjekje të rekrutojnë luftëtarë për të shkuar në Siri dhe Irak dhe se "kanë promovuar aktivitete terroriste” në mediat sociale.

Tre nga të dyshuarit janë arrestuar në Itali dhe një në Kosovë.

Policia e Kosovës ka thënë se ka bastisur shtëpinë e të dyshuarit në një fshat në Han të Elezit, ku është gjetur një pistoletë, një pushkë dhe disa pajisje elektronike.

Autoritetet italiane ndërkaq, kanë thënë se të katërtit kanë qenë shumë aktivë në internet, “duke promovuar kauzë pro-xhihadiste, por nuk duket se kanë qenë të përfshirë në ndonjë komplot specifik”.

“Ata kanë kërcënuar Papën, kanë festuar për sulmet e fundit në Paris dhe kanë kërcënuar ish-ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Kosovë”, ka thënë Carmine Esposito, shef i policisë në qytetin verior të Italisë, Brescia, ku edhe janë zhvilluar hetimet.

Policia italiane ka njoftuar sot se prej tre shtetasve të Kosovës, të arrestuar në Itali, njëri mbetet në paraburgim, ndërsa dy të tjerët janë dëbuar në harmoni me masat antiterror, njofton agjencia e lajmeve Associated Press, ndonëse nuk është e qartë se për ku janë dëbuar dy nga të arrestuarit.

Përfaqësues nga Qeveria e Kosovës, por edhe ata nga shoqëria civile, thonë se që nga viti 2012 e deri më tash, numri i shqiptarëve nga Kosova që i janë bashkuar organizatave ndërkombëtarisht të njohura si terroriste në Siri dhe Irak, është rreth 300. Rreth 50 prej tyre janë deklaruar të vrarë gjatë luftimeve atje.

XS
SM
MD
LG