Ndërlidhjet

Afër 7 mijë persona të punësuar këtë vit


Ilustrim
Ilustrim

Gjatë vitit 2015, në Kosovë sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale janë punësuar afër 7 mijë persona, bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë, zyrtarë të kësaj ministrie.

Zëvendësministrja e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Rita Hajzeraj, ka treguar se gjatë këtij viti janë realizuar një numër i madh i projekteve që kanë të bëjnë për aftësim profesional dhe punësim.

“Sipas të dhënave tona të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale totali i të punësuarve është 6,556 persona, prej tyre 1,921 janë femra, të tjerët janë meshkuj të të gjitha nacionaliteteve, por shumica prej tyre janë të rinj që i përkasin nacionalitetit shqiptarë”, ka thënë Hajzeraj.

Hajzeraj ka bërë të ditur se një grup i infermierëve gjatë këtij viti kanë shkuar të aftësohen dhe të punojnë në Zvicër.

Derisa një grup tjetër, ka shtuar Hajzeraj, kanë shkuar në Gjermani ku janë punësuar në kompani të ndryshme, që kanë të bëjnë me aftësim dhe punësim në profesionet e inxhinierisë.

“Të gjithë këta persona ne i numërojmë si të punësuar, pasi që ata kanë shkuar në Gjermani apo në Zvicër për tre muaj, ata kthehen dhe shkojnë prapë edhe për tre muaj tjerë dhe nuk dihet se sa zgjatë marrëveshja me ta. Nëse këto kompani kanë nevojë për punëtorë ata vetëm e vazhdojnë kontratën me këta punëtorë ose kërkojnë edhe punëtorë tjerë”, ka sqaruar Hajzeraj.

Punësime tjera, sipas Hajzeraj, ka pasur përmes programeve të UNDP-së që është programi për vetpunësim ku kanë përfituar 40 biznese dhe vetëm në këtë vit, janë punësuar rreth 120 persona.

Papunësia është një nga problemet më të mëdha që ka përcjellë shoqërinë kosovare viteve të fundit.

Përfaqësues që mbrojnë të drejtat e punëtorëve thonë, numri i të punësuarve gjatë këtij viti është i pamjaftueshëm për të ulur nivelin e lartë të papunësisë.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Kosovës, Haxhi Arifi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se me hapjen e vendeve të reja të punës gjatë këtij viti nuk janë të kënaqur, pasi që do të duhej të kishte shumë më shumë.

“Duhet të ketë më shumë realizime dhe hapje të vende të reja të punës. Statistikat zyrtare thonë se kemi papunësi mbi 30 për qind, por unë them se ne kemi papunësi mbi 45 për qind. Ky numër i vendeve të punës për afro 7 mijë është i mirëseardhur, por kërkesat tona do të ishin të jenë më të mëdha pasi që kemi papunësi të madhe”, thekson Arifi.

Në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, ende nuk kanë të dhëna për numrin e të punësuarve gjatë këtij viti. Ata kanë theksuar se të dhënat e punësimit për vitin 2015 do t’i publikojnë në qershor të vitit të ardhshëm.

Derisa, sipas të dhënave të kësaj agjencie shkalla e papunësisë në Kosovë, ka shënuar rritje në vitin 2014, nga 30.0 për qind sa ka qenë në vitin 2013 në 35.3 për qind në vitin 2014.

Ndryshe, gjatë fushatës elektorale, hapja e vendeve të reja të punës kishte qenë një ndër premtimet më të mëdha të partive politike në vend. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, tani kryeministër i Kosovës, Isa Mustafa ka premtuar se gjatë mandatit katërvjeçar do të arrijë të krijojë 120 mijë vende pune.

XS
SM
MD
LG