Ndërlidhjet

SHBA: Vrasjet në Kaliforni – akt terrori


San Bernardino, Kaliforni
San Bernardino, Kaliforni

Autoritetet e Shteteve të Bashkuara thonë se hetimet për të shtënat më 2 dhjetor në një agjenci të shërbimeve sociale në Kaliforni, ku u vranë 14 vetë dhe u plagosën 21 të tjerë, po zhvillohen si për një aktterrorizmi.

Zyrtarët thanë se gruaja, e cila së bashku me bashkëshortin e saj, është e dyshuar për involvim në masakër, kishte deklaruar lojalitet ndaj grupit militant, Shteti Islamik, në postimet në mediat sociale.

Policia e ka identifikuar gruan si Tashfeen Malik dhe burrin e saj me emrin, Sayed Farook.

E përditshmja Los Angeles Times ka raportuar mbrëmë se bashkëshorti Farook, po ashtu, kishte kontakt me së paku dy grupe militante, përfshirë Frontin Nusra, që është i ndërlidhur me al-Kaidën dhe grupin Shabab në Somali.

Drejtori i agjencisë FBI, James Comey, u tha mbrëmë reporterëve në Uashington se rasti është shndërruar në hetim federal të terrorizmit.

“Arsyeja për këtë është se hetimet e deritashme i kanë zhvilluar indikacionet për radikalizimin e vrasësve dhe inspirimin potencial nga organizatat e jashtme terroriste”, tha James Comey.

Sipas tij, nuk ka indikacione se çifti ishte pjesë e ndonjë celule ose rrjeti terrorist.

Nga ana tjetër, grupi ekstremist, Shteti Islamik, në një radio transmetim në Internet, tha se dy mbështetës të tyre e kanë kryer sulmin.

Mbështetësit e Shtetit Islamik, para disa ditësh, e sulmuan një qendër në San Bernardino në Kaliforni”, raportoi radioja e grupit militant, al-Bayan.

Më herët, David Bowditch, ndihmësdrejtor i agjencisë FBI në zyrën në Los Anxhelos, tha se hetuesit ishin duke shikuar për “gjurmë të gishtërinjve digjitalë” në kompjuterë dhe në vende të tjera dhe se dy telefona mobil, pjesërisht të shkatërruar, janë gjetur në mbeturina të shisheve të zbrazëta, jo larg nga vendi ku janë kryer të shtënat, në agjencinë për shërbime sociale në San Bernardino, 100 kilometra në lindje të Los Anxhelosit.

Autoritetet thanë se Malik dhe Farook i kishin shkrepur më tepër se 75 karikatorë me plumba në një dhomë ku ishin sulmuar njerëzit në agjencinë sociale, ndërsa aty ku ishin vrarë sulmuesit ishin gjetur 1,600 karikatorë.

Më vonë policia kishte gjetur edhe 12 bomba gypore, mjete për prodhimin e eksplozivit dhe më tepër se 4,500 karikatorë në shtëpinë që e kishin marrë me qira.

Ky çift bashkëshortor ishte vrarë disa orë më vonë pas ndjekjes me vetura dhe luftës së ashpër me armë kundër policisë.

Malik ishte e lindur në Pakistan, dhe kishte ardhur në vitin 2014 në Shtetet e Bashkuara me vizë të fejesës.

Farook ishte i lindur në Çikago, nga prindërit pakistanezë, dhe ishte rritur në pjesën jugore të Kalifornisë.

Ai ishte 28- vjeçar dhe punonte si inspektor shëndetësor. Para se të martohej me Farookun para dy vitesh, Tafsheen Malik kishte jetuar në Arabinë Saudite.

Zyrtarët thanë se derisa vrasjet kanë mundur të jenë inspiruar nga militantët e Shtetit Islamik, nuk ka dëshmi se ky grup radikal e ka udhëhequr këtë sulm.

Kjo vrasje në Shtetet e Bashkuara ka shkaktuar debat të ashpër për legjislacionin e mbajtjes së armëve dhe shkallën e lartë të vrasjeve masive nga sulmet me armë.

Po ashtu, janë shtuar shqetësimet se njerëzit e radikalizuar ose ata që janë mbështetës të Shtetit Islamik, mund të hyjnë në Shtetet e Bashkuara së bashku me refugjatët nga Siria ose nga vendet e tjera.

Ky ishte sulmi më vdekjeprurës prej vitit 2012 në Shtetet e Bashkuara.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG