Ndërlidhjet

Trump: Myslimanët të mos lejohen në SHBA


Donald Trump.
Donald Trump.

Kandidati udhëheqës republikan për president amerikan, Donald Trump, ka propozuar “mbyllje totale dhe komplete” të kufirit, për të gjithë myslimanët që hyjnë në Shtetet e Bashkuara, duke shkaktuar kritika dhe kundërshtime nga i gjithë spektri politik amerikan dhe i jashtëm.

Këto komente provokuese dhe përçarëse, ai i bëri derisa kandidatët presidencialë amerikanë po i shqyrtojnë mënyrat për përmirësimin e sigurisë kombëtare, pas të shtënave masive javën e kaluar në San Bernardino të Kalifornisë, nga një çift mysliman, që mendohet se ishte radikalizuar nga ekstremistët.

Zoti Trump tha të hënën vonë gjatë një fushate politike në Karolinën Jugore, se ndalesa totale për hyrjen e myslimanëve do të mund të mbetej “derisa përfaqësuesit e vendit tonë të mund zbulojnë se çka djallin po ndodhë”.

Ai theksoi se ndalesa është e domosdoshme për shkak të asaj që ai e ka përshkruar si urrejtje në mesin e “segmenteve të gjëra të popullatës myslimane” ndaj amerikanëve.

Miliarderi amerikan, i njohur po ashtu nga programet televizive të realitetit, tha se “prej nga dhe përse kjo urrejtje vjen ne duhet ta përcaktojmë”.

Sipas tij, “derisa ne të jemi të aftë ta përcaktojmë dhe kuptojmë këtë problem dhe kërcënimin e rrezikshëm që ai e bartë, vendi ynë nuk mund të jetë viktimë e sulmeve të tmerrshme nga njerëzit që besojnë vetëm në xhihad dhe nuk kanë ndjenjë të arsyes ose respekt për jetën njerëzore”.

As zoti Trump e as ndihmësit e tij nuk kanë specifikuar se nëse propozimi do t’i prekte turistët dhe imigrantët, apo edhe shtetasit myslimanë të Shteteve të Bashkuara, që janë jashtë.

Shtëpia e Bardhë menjëherë e ka hedhur poshtë propozimin e kandidatit republikan Trump si “totalisht në kundërshtim” me vlerat amerikane.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, tha se Trump po prek në anën e errët, për të luajtur me “frikën e popullit, me qëllim që të krijojë mbështetje për fushatën e tij”.

Josh Earnest tha se në vend se ta dënojnë komunitetin mysliman, zyrtarët e Shteteve të Bashkuara duhet të punojnë me liderët myslimanë për t’i çrrënjosur zërat ekstremistë dhe “t’i izolojnë ata që mund të ndikohen ndaj radikalizimit”.

Ben Rhodes, njëri nga këshilltarët për politikë të jashtme të presidentit, Barack Obama, e ka hedhur poshtë propozimin e zotit Trump, duke e vlerësuar si jokushtetues, pasi sipas tij, “në Kushtetutën tonë ne kemi respekt për lirinë e religjionit”.

Ish-zëvendëspresidenti amerikan, Dick Cheney, anëtar i Partisë Republikane, i ka dënuar komentet e Trumpit, ndërsa kandidati republikan për president amerikan, Jeb Bush, e quajti Trumpin “të çmendur”.

Reagime kundërshtuese ka pasur edhe nga kandidatët e tjerë presidencialeë republikanë, Marco Rubio, John Kasich, Chris Christie dhe Lindsey Graham.

Kandidatja udhëheqëse demokrate për presidente, Hillary Clinton, e ka përshkruar propozimin e Trumpit si plan “të palejueshëm, paragjykues dhe përçarës” që amerikanët “i bënë më pak të sigurt”.

Garuesi demokratik, Martin O’Malley, tha se Donald Trump është “demagog fashist”.

Drejtori ekzekutiv i Këshillit për raportet islamiko-amerikane, Nihad Awad, tha se “Trumpi tingëllon më tepër si lider i linçit të turmës se sa i një vendi të madh siç është ky i yni”.

Myslimanët në vendet e tjera, po ashtu, e kanë kritikuar zotin Trump për komentet e tij.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG