Ndërlidhjet

“Fajtorët” e moszbardhjes së incidenteve


Ilustrim
Ilustrim

Incidentet e fundit në rajonin e Pejës, përkatësisht në fshatin Gorazhdec të kësaj komune, si dhe ai në Serbobran të komunës së Istogut, kanë nxitur një diskurs akuzues të përfaqësuesve serbë në institucionet e Kosovës, si dhe të autoriteteve të Serbisë, ndaj institucioneve të Kosovës për mos-reagim.

Ky diskurs, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë, përmes një komunikate për medie, është vlerësuar me ngjyrime paragjykuese nga ana e përfaqësuesve të serbëve në institucionet e Kosovës, si dhe të autoriteteve të Serbisë.

“Ne kemi kërkuar që të mos paragjykohen rastet dhe që organet e drejtësisë ta bëjnë punën e tyre”, kanë thënë përfaqësuesit e KMDLNJ-së.

Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë (FDH Kosovë), përmes një komunikate për medie ka rikujtuar se “në të kaluarën pothuajse asnjëherë nuk kanë dhënë rezultate hetimet policore për sulmet ndaj serbëve lokalë në këtë fshat dhe në tërë rajonin e Pejës”.

“Dështimi në arrestimin e autorëve të këtij krimi edhe më tutje krijon pasiguri tek qytetarët serbë të këtij fshati dhe të tërë Kosovës dhe ka ndikim negativ në vendosjen e besimit tek institucionet kosovare”, është thënë në komunikatën e FDH-së.

Të dyja këto organizata kanë kërkuar nga Policia e Kosovës, që në përputhje me mandatin e saj, të marrë të gjitha masat e parapara ligjore që të arrestojë dhe sjell para drejtësisë aktorët e këtyre veprave kriminale.

Në anën tjetër, njohësit e rrethanave të sigurisë në Kosovë, vlerësojnë se moszbardhja e incidenteve në përgjithësi, e në veçanti kur sulmet janë orientuar ndaj qytetarëve serbë apo pasurisë së tyre, që nga pas lufta, mbeten mbi përgjegjësinë, fillimisht të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), por edhe institucioneve të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë e këndej.

Naim Maloku, njohës i rrethanave të sigurisë në vend, vlerëson se shumica e incidenteve, gjatë mandateve të UNMIK-ut dhe EULEX-it, vetëm janë dënuar, por ato mbeten ende të pazbardhura tërësisht.

“Ato mekanizma ose nuk kanë qenë të afta t’i zbulojnë pistat, qëllimet dhe kush ka qëndruar pas tyre, ose mund të ndodhë që edhe i kanë heshtur dhe i kanë futur dosjet diku dhe nuk janë marrë më me to. Tash, nuk është komoditeti i tillë i shtetit tonë dhe i institucioneve, prej presidentes e deri te ministri i rendit ose kryeministri. Tash janë organet e Kosovës ato që duhet të japin sqarime se deri ku kanë ardhur hetime dhe çka ka ndodhur pas kësaj”.

Maloku vlerëson se pas formimit të Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës, e cila duhet t’i hetojë dhe parandalojë incidentet e tilla, një pjesë e përgjegjësisë për dështimin në parandalim të tyre, duhet ta marrin edhe institucionet e Kosovës dhe mekanizmat e saj të sigurisë.

Por, Skënder Perteshi, analist nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, vlerëson se incidentet në Gorazhdec dhe Serbobran janë të izoluara.

“Për shembull, në tre apo katër vjetët e fundit ka numër shumë të vogël të rasteve kur ka pasur probleme ndëretnike ose probleme ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Nuk duhet quajtur sulm ndëretnik. Më shumë është një sulm i izoluar, siç ndodhë edhe në shtetet tjera".

"Hetimet është duke i bërë policia dhe institucionet e zbatimit të ligjit dhe mendoj që ky sulm nuk e prekë aspak situatën e përgjithshme të sigurisë në Kosovë. Po ashtu, nuk është as ndonjë sulm që mund t’i prishë marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë".

Megjithatë, njohësit e rrethanave të sigurisë në Kosovë, vlerësojnë se është indikative që incidentet, në të cilat sulmet janë orientuar ndaj qytetarëve serbë apo pasurisë së tyre, që nga pas lufta e deri më tash, kanë ndodhur në data të veçanta, në prag të ngjarjeve të rëndësishme për Kosovën ose gjatë tyre.

Naim Maloku, njohës i rrethanave të sigurisë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se Kosova po përballet me krizë politike, shkak i së cilës konsiderohet marrëveshja për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe demarkacioni me Malin e Zi.

Por, sipas tij, është indikative që ky moment po shfrytëzohet nga dikush që, siç thotë ai, nuk i do të mirën Kosovës.

“Nëse dikush ka dashur t’i inskenoj dy ngjarje të tilla, tash në komunën e Pejës, pra, ka qenë një moment i volitshëm. Fatmirësisht nuk ka pasur viktima as në rastin e Gorazhdecit, që janë qytetarë të Kosovës. Unë jetoj këtu (në rajonin e Pejës) dhe ata (serbët në Gorazhdec) janë tepër të sjellshëm . Po ashtu edhe këta të tjerët në Serbobran. Absolutisht, asnjë shkas nuk ka që ndonjë shqiptar ta bëjë një akt të tillë mbi ta”.

Analisti Perteshi vlerëson se incidentet e tilla, si në Gorazhdec dhe Serbobran është vështirë të hetohen, ashtu sikurse edhe personat që i kryejnë veprat e tilla.

“Po ashtu, problem kryesor është edhe bashkëpunimi i qytetarëve serbë me Policinë se Kosovës, sepse ata hezitojnë që të bashkëpunojnë. Ndërkaq, sa i përket propagandës dhe deklaratave të politikanëve serbë që janë në Kosovë, dihet publikisht që ata e mbrojnë një agjendë të Beogradit dhe dëshirojnë që pozitën politike të serbëve në Kosovë ta bëjnë sa më keq përpara faktorëve ndërkombëtarë, që të fitojnë terren. Qëllimi i tyre është që ta krijojnë një ‘status quo’ dhe një problem politik brenda Kosovës, që të përfitojnë në dialog edhe diçka”.

Në incidentin në Gorazhdec, në orët e hershme të së hënës, ka pasur shkrepje me armë zjarri dhe për pasojë kishte edhe dëmtim prone, një shtëpi private, si dhe dëmtim me forcë te një përmendoreje në atë fshat. Të njëjtën ditë, persona të panjohur kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të një kioske të një serbi në fshatin Serbobran të komunës së Istogut.

XS
SM
MD
LG