Ndërlidhjet

Qeveria kategorizon pagesat për specializantët


Ilustrim
Ilustrim

Specializantët në Kosovë ankohen që nuk po paguhen nga Ministria e Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës tash e 17 muaj. Ndryshe, specializantët janë të ndarë në tri kategori, A, B dhe C.

Kategoria A paguhet nga Ministria e Shëndetësisë për studimet e tyre specialistike, për aq sa e kanë të paraparë programin specialistik. Kjo kategori është zgjedhur me performanca më të suksesshme, gjatë testimit të tyre.

Por, jo edhe kategoria B dhe C paguhen në formë page nga Ministria e Shëndetësisë.

Kategoria B e mjekëve, janë në koordinim me spitalet rajonale dhe Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si dhe kategoria C, kategori e mjekëve që i financojnë spitalet private, e që më pastaj mjekët punojnë në po ato institucione shëndetësore private.

E këta të fundit, flasin për Radion Evropa e Lirë se çka në fakt po kërkojnë.

"Tash i bëjmë një vit e gjysmë që nuk paguhemi si specializantë. Ne kemi obligime pune nga ora 7 deri në orën 3 si gjithë mjekët tjerë. Por, ne si specialziantë nuk paguhemi. Ne kemi pasur takime me ministrin e Shëndetësisë dhe nuk e ka marrë përgjegjësinë për zgjidhjen e problemit tonë. Ka thënë se nuk ka buxhet të mjaftueshëm".

"Mendoj se duhet të bëhet zgjidhje për ne, pasi që në këtë periudhë moshe është e pa mundur të mos kemi të ardhura. Për me qenë të suksesshëm, duhet të kemi mbështetje financiare shtetërore", tha Berat Krasniqi, i cili është duke specializuar në lëminë e gjinekologjisë.

Në anën tjetër, Valbon Krasniqi, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, ka bërë të ditur se specializantët me kontrata të rregullta dhe që kanë fituar specializimin me financim nga Ministria e Shëndetësisë e që janë rreth 200, marrin paga të rregullta.

Derisa, kategoritë tjera të specializantëve që kanë fituar të drejtën e specializimit në mënyrë vullnetare, pra pa pagesë, me rekomandim të spitaleve regjionale dhe spitaleve private nuk do të futen në listën e pagave.

"Rreth 500 specializantë vullnetarë kanë arritur një marrëveshje përmes një anekse me kabinetin e kaluar të Ministrisë së Shëndetësisë, që të paguhen në formë page. Marrëveshja ka qenë njëvjeçare".

"Megjithatë ne nuk e kemi ndërprerë pagesën për tash dhe vazhdojnë të paguhen. Por, jo edhe të lejojmë numër tjetër të specializantëve me pagë. Kjo për shkak të mungesës së buxhetit", tha Krasniqi.

Ndryshe drejtori i Qendrës për Kërkim dhe Zhvillim Shëndetësor, Blin Nagavci thotë se mjekët në specializim që do të bëhen profesionistë të lëmive të caktuara tash duhet gjejnë alternativa të ndryshme pune, përpos orarit të plotë në sistemin shëndetësorë, në mënyrë që të gjenerojnë të ardhura, pasi që nuk paguhen.

"Ne nuk mund ta dimë pse mjekët specializantë nuk paguhen, ndonëse këta punojnë me orar të rregullt qoftë në spitale Regjionale qoftë edhe në QKUK. Kjo mendoj se është një padrejtësi që ju bëhet mjekëve të cilët kontribuojnë mjaft në këtë lëmi dhe nuk paguhen për punën e tyre. Ata detyrohen të gjejnë alternativa të punës në mënyrë që të gjenerojnë të ardhura", u shpreh Nagavci.

Sidoqoftë, në dy vitet e fundit janë ndarë mbi 500 specializime, që do të thotë se është rritur dukshëm numri i mjekëve të cilëve iu është lejuar të specializojnë, krahasuar me vitet paraprake.

XS
SM
MD
LG