Ndërlidhjet

Francë: Disfatë e së djathtës ekstreme


Fletëvotimi në Francë
Fletëvotimi në Francë

Hulumtimet e opinionit, të bëra pas votimeve, parashikojnë se partia e së djathtës ekstreme në Francë, Fronti Kombëtar, ka pësuar disfatë në raundin e dytë të zgjedhjeve rajonale të mbajtura të dielën.

Kjo paraqet një goditje të fuqishme për këtë parti, për të cilën është konsideruar se do të shënojë rritje në periudhën kur shqetësimet ishin në rritje për valën e migrantëve dhe për sulmet terroriste në Paris.

Parashikohet se kjo parti nuk do të fitojë në asnjë rajon.

Në raundin e parë, para një jave, liderja e Frontit Kombëtar, Marine Le Pen, dhe aleatët e saj, kryesonin në gjysmën e 13 rajoneve të reja, që janë krijuar aktualisht.

Por, sipas parashikimeve [“exit poll”] sugjerohet se Fronti Kombëtar ka humbur në të 13 rajonet, përfshirë edhe rajonin ku ka garuar vetë zonja Le Pen.

Pavarësisht nga kjo, Marine Le Pen ka shprehur përkushtim në synimin për zgjerimin e mbështetjes së partisë së saj, gjatë javëve të ardhshme për “afrim me të gjithë francezët, pavarësisht nga origjina, të cilët dëshirojnë të bashkohen”, duke konstatuar se këtë parti “nuk mund ta ndalë asgjë”.

Ajo është ankuar ndaj kryeministrit të Francës, Manuel Valls.

“Më pëlqen demokracia, por nuk më pëlqen duke i parë votuesit që trajtohen si fëmijë, që terrorizohen, ashtu siç janë përpjekur të bëjnë disa njerëz, e veçanërisht kryeministri, në mënyrë thellësisht dyshuese”, tha Marine Le Pen.

Kryeministri i Francës, Manuel Valls, ka tërhequr vërejtjen se e djathta ekstremiste mbetet rrezik dhe ka kërkuar nga shtetasit në Francë që të bashkohen kundër ektremizmit.

“Nuk ka vend për relaksim, jo triumfalizëm, jo mesazh për fitore. Rreziku që paraqet e djathta ekstreme nuk është larguar, larg nga kjo. Nuk do t’i harroj rezultatet e votimeve të raundit të parë dhe të zgjedhjeve të kaluara”, tha Manuel Valls në Paris.

Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy, po ashtu, u tha mbështetësve të tij se nuk duhet të harrohet raundi i parë.

“Ky mobilizim për kandidatët tanë, në raundin e dytë, megjithatë, në asnjë rethanë nuk duhet të ndikojë që t’i harrojmë vërejtjet që u dërguan te të gjithë liderët politikë, përfshirë neve, gjatë raundit të parë të këtyre zgjedhjeve rajonale”, tha Nicolas Sarkozy, i cili është lideri i Partisë Republikane në Francë.

Rezultatet e pjesërishme të Ministrisë së brendshme të Francës tregojnë se partia e zotit Sarkozy po udhëheq në 6, ndërsa socialistët në 5 rajone.

Rezultatet përfundimtare pritet të shpallen më vonë gjatë së hënës.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG