Ndërlidhjet

Gjykim me tone të acaruara i të dyshuarve për mbështetje terrorizmi


Ilustrim
Ilustrim

Në Tiranë, po vazhdon me tone të acaruara gjyqi ndaj të akuzuarve për rekrutim dhe dërgim të besimatërve myslimanë shqiptarë në Siri.

Në sallën e gjyqit, të pandehurit, kanë përsëritur pretendimin e tyre se ky proces gjyqësor "është i manipuluar", dhe sërish kanë bërë thirrje për "xhihadin islam".

Njëri prej të akuzuarëve, Fadil Muslimani, përveç akuzave ndaj shtypit, që sipas tij, po persekuton besimtarët myslimanë, ka patur edhe një këshillë në formë beteje për kryetarin e Partisë Demokratike në opozitë, Lulzim Basha...

“Ç'bën kështu more Lulzim? Nuk shembet diktatura me ledhatim”.

Një tjetër i pandehur, Gert Pashja, tha mes të tjerash se do të vijë koha edhe për muslimanët...

“Iku komunizmi, do iki edhe demokracia, e do te triumfojë islami”, tha ai.

Gert Pashja gjithashtu ka kërcënuar avokatin e caktuar nga shteti, duke i kërkuar të largohet nga salla. Së bashku me të akuzuarit e tjerë, ai pretendon se nuk është njohur me dokumentat në bazë të të cilave, po shtyhet gjykimi ndaj tyre. Trupi i gjyqtarëve ka marrë vendimin për largimin e tij nga salla, ndërsa ky i fundit, duke dalë i ka quajtur gjyqtarët "kriminelë dhe armiq të islamit".

Një tjetër i akuzuar, Orion Reçi tha se nuk është pjese e asnjë grupi apo organizate terroriste dhe se distancohej nga deklarata e Fadil Muslimanit per mbështetje ndaj grupit militant Shteti Islamik, i njohur ndërkombëtarisht si organizatë terroriste.

Genc Balla, imami i vetëshpallur i xhamisë së Unazës së Re, i dyshuar si organizatori i dërgimit të besimtarëve myslimanë në Siri, pretendoi për manipulimin e provave dhe përgjimeve.

Që të gjithë akuzohen për rekrutim të personave për kryerjen e veprave me qëllime terroriste ose të financimit të terrorizmit, për nxitje, thirrje publike dhe propagandë për kryerjen e veprave të tilla dhe për nxitjen e urrejtjes ose grindjeve.

XS
SM
MD
LG