Ndërlidhjet

Braktisja e fëmijëve, 46 syresh vetëm këtë vit


Ilustrim
Ilustrim

Gjatë vitit 2015, janë braktisur 46 fëmijë. Sipas zyrtarëve shëndetësorë tash për tash në qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë gjashtë fëmijë të braktisur, të cilët kanë probleme shëndetësore.

Bajram Kelmendi, shef i divizionit të shërbimeve sociale, në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë për Radion Evropa e Lirë se mbrojtja e fëmijëve pa përkujdesje prindërore, është mandat ligjor i Qendrës për Punë Sociale.

“Gjatë vitit 2015 janë paraqitur nga terreni 46 fëmijë të braktisur, pa përkujdesje prindërore. Prej tyre, 37 janë të braktisur menjëherë pas lindjes, derisa 9 fëmijë kanë mbetur pa përkujdesje prindërore për arsye të ndryshme, qoftë vdekje të prindërve ose të tjera”, thotë Kelmendi.

Ai tregon edhe numrin e fëmijëve që janë bartur nga viti i kaluar, si dhe për fatin e tyre:

‘’Janë edhe 96 fëmijë të braktisur që janë bartur nga viti 2014. 71 prej tyre janë në strehim familjar, 19 janë në SOS kinderdorf dhe 6 janë në QKUK për shkak të problemeve shëndetësore”.

“Ky është numri i përgjithshëm i fëmijëve pa përkujdesje prindërore, e që janë në mbrojtje të organit të kujdestarisë, qendra për punë sociale në nivel komunal’’.

Familjet strehuese nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale marrin nga 150 euro në muaj, për t’u kujdesur për fëmijët e strehuar.

Drejtoresha e Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, KOMF, Donjeta Kelmendi duke folur për Radion Evropa e Lirë, si problematikë për adoptimin e fëmijëve përmend procedurat e stërzgjatura.

"Pas 21 ditëve të qëndrimit në spital, fëmijët e braktisur dërgohen në strehim familjar, në familje strehuese për fëmijët e braktisur, apo edhe në strehim rezidencial që te ne është në SOS fshatrat e fëmijëve".

"Kjo zgjat deri në zgjidhjen e statusit të tyre. Sipas hulumtimit tonë, procedurat e adoptimit kanë rezultuar të gjata, pasi që shumë fëmijë rrinë me status të pazgjidhur, për shkak të rrethanave të ndryshme, qofshin ato familjare, si vërtetimi i atësisë së ADN-së, analizë kjo që nuk mund të bëhet në Kosovë", thekson ajo.

Donjeta Kelmendi thotë se fëmijët me nevoja të veçanta, janë ata që më pak adoptohen nga shtetasit e Kosovës, por këta fëmijë i adoptojnë më shumë ndërkombëtarët.

"Rasteve më specifike iu zgjaten procedurat e adoptimit. Janë fëmijët e braktisur me nevoja të veçanta, dhe ata fëmijë rrinë më gjatë në listën e pritjes, derisa ata fëmijë më shumë merren nga ndërkombëtarët në adoptim", shton Donjeta Kelmendi.

E, sipas zyrtarëve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në Kosovë numri i fëmijëve të braktisur është më i vogël se kërkesat për adoptim.

Sidoqoftë, sipas legjislacionit të aplikueshëm nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, një fëmijë mund të adoptohet edhe jashtë Kosovës, në rast të konsumimit të të gjitha mundësive të adoptimit të fëmijës brenda Kosovës.

XS
SM
MD
LG