Ndërlidhjet

2015: Rritet numri i gazetarëve të vrarë në detyrë


Ilustrim
Ilustrim

Vrasja e nëntë gazetarëve në zyrën e revistës satirike Charlie Hebdo në Paris, ka bërë që Franca të dalë në vendin e dytë në listën vjetore të vendeve më vdekjeprurëse për gazetarët.

Organizata për lirinë e medias Reporterët pa Kufij ka publikuar sot raportin vjetor, duke bërë të ditur se 67 gazetarë janë vrarë në vitin 2015, gjatë kryerjes së detyrës së tyre.

Në krye të listës, si vendi më i rrezikshëm për gazetarë, është Siria, me vrasjen e 13 gazetarëve.

Dyzetetre gazetarë të tjerë kanë vdekur në rrethana të paqarta, kanë shtuar Reporterët pa Kufij.

Në anën tjetër, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, me seli në Nju Jork, ka thënë se ka dokumentuar 69 vrasje të gazetarëve gjatë këtij viti.

Sipas burimit të njëjtë, 29 prej tyre janë vrarë nga ekstremistët islamikë.

Numri i të vdekurve, i cili përfshin gazetarët e vrarë midis 1 janarit dhe 23 dhjetorit, është më i lartë se 61 gazetarët e vrarë në vitin 2014.

Ky numër mund të rritet ende, pasi Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve është duke hetuar vdekjen e së paku 26 gazetarëve të tjerë, për të përcaktuar nëse ata kanë vdekur në rrethana që lidhen me punën.

Siria ka qenë vendi më vdekjeprurës për gazetarët përgjatë katër vjetëve të kaluar, edhe pse 13 vdekjet e regjistruara në vitin 2015 shënojnë rënie krahasuar me vitin paraprak.

Kjo reflekton pjesërisht numrin e reduktuar të gazetarëve që punojnë në Siri, pasi grupi militant Shteti Islamik ka zgjeruar territoret që kontrollon, ka vlerësuar Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve publikon raport çdo vit për vdekjen e gazetarëve në gjithë botën, përfshirë ata që sulmohen për punën e tyre dhe ata që vdesin në detyra të tjera të rrezikshme.

Vrasjet në Charlie Hebdo kanë qenë sulmi i vetëm më vdekjeprurës kundër gazetarëve – nëntë anëtarë të revistës satirike janë vrarë, ashtu si edhe tre zyrtarë policorë.

Al Kaida në Gadishullin Arabik ka thënë se ka organizuar sulmin.

Në mesin e gazetarëve të tjerë të vrarë këtë vit për punën e tyre ka qenë edhe shkrimtari nga Bangladeshi, Avijit Roy. Roy, një ateist që ka mbrojtur sekularizmin, është vrarë me hanxhar derisa ka qenë duke ecur me gruan e tij nga një panair i librit në Daka. Ai ka qenë 42 vjeç.

Raporti i Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve vjen vetëm dy ditë pas vrasjes së një gazetari sirian në Turqi. Naji Jerf është vrarë nga persona të armatosur, në një rrugë mjaft të ngarkuar të Turqisë. (v.tela)

XS
SM
MD
LG