Ndërlidhjet

Gazetarët vazhdojnë të përballen me kushte të këqija


Ilustrim
Ilustrim

Kushtet e punës së gazetarëve dhe medieve në përgjithësi, dhe ambienti i të bërit gazetari, nuk kanë shënuar ndonjë përparim gjatë vitit 2015, por, përkundrazi, tashmë ka përkeqësim të situatës, vlerësojnë përfaqësuesit e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, dhe disa prej gazetarëve nga mediet e ndryshme në vend.

Zekirja Shabani, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se edhe gjatë vitit 2015, nuk është shënuar ndonjë përmirësim i kushteve të punës për gazetarët.

Sipas tij, në mjaft media vazhdon moszbatimi i kontratave të punës, i Ligjit të punës dhe Ligjit për sigurinë në punë për medie.

“Inspektorati i punës nuk po e kryen punën e vet, për çka është i thirrur. Nuk i inspekton mediet. Ka frikë prej pronarëve të medieve që të inspektojë. Prej asaj që ne kemi parë, si Asociacion, pra, gazetarët vazhdojnë të punojnë pa kontrata pune, vazhdojnë të përballen me telashe me censurë".

"Vazhdojnë të përballen edhe jashtë ambientit të punës dhe vazhdojnë të jenë të pambrojtur, pa pajisje, siç është rasti prej raportimeve për protesta. Kemi parë gazetarë të lënduar, gazetarë që i janë ekspozuar gazit lotsjellës dhe gazetarë që madje, shpeshherë nuk kanë as ID identifikuese, që të tregojnë se janë gazetarë”, tha Shabani.

Arben Ahmeti, redaktor në radiotelevizionin Dukagjini, thotë për Radion Evropa e lirë, se mungesa e sundimit të ligjit, në njërën anë dhe mungesa e zhvillimit të mirëfilltë të ekonomisë, në anën tjetër, kanë bërë që edhe gjatë vitit 2015, të jetë e dukshme që një numër mediesh t’i nënshtrohen grupeve të caktuara të interesit.

“Shpeshherë ekonomike dhe politike, por shumë herë edhe kriminale. Pastaj, kemi parë gjithnjë e më shumë medie, të cilat heqin dorë nga kërkimi i llogaridhënies nga institucionet, duke u bërë kështu pjesë e agjendave të institucioneve".

"Natyrisht ende jemi në situatë kur po devalvon pozitës së medieve, për shkak se vazhdimisht po kemi pushtet gjithnjë e më të interesuar për ta kontrolluar medien”.

Shkëlqim Hysenaj, gazetar në televizionin Kohavizion, thekson për Radion Evropa e Lirë se viti 2015 ka qenë sfidues për gazetarët që punojnë në medie të ndryshme.

Sipas tij, problemi kryesor për këtë ka qenë kriza politike, e cila, në një formë ose tjetër, ka ndikuar edhe në ngritjen e nivelit të rrezikut për gazetarë.

Edhe Hysenaj thotë se gazetarët nuk i kanë pasur mjetet e nevojshme për t’i përballuar situatat e caktuara në Kuvendin e Kosovës, ku disa herë është hedhur gazi lotsjellës, por edhe në protestat e dhunshme që janë zhvilluar gjatë këtij viti.

“Ndërkohë, nëse flasim për mënyrën ose mundësinë e të bërit gazetari në këtë Kosovë, për këtë vit, vlen të theksohet fakti se qeveria ka qenë jashtëzakonisht e mbyllur në dhënien e informacioneve. Ndërkohë, ka funksionuar logjika e njëjtë, sepse qeveria ka mbetur e izoluar, duke mos kthyer përgjigje në shumicën e pyetjeve, të cilat i kanë drejtuar gazetarët".

"Ka qenë një qeveri totalisht e izoluar dhe të paktë kanë qenë ministritë ose ministrat dhe dikasteret e ndryshme qeveritare që kanë qenë transparente dhe të hapura për medie”, shtoi Hysenaj.

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Shabani , ka theksuar se edhe viti 2015 ka dëshmuar se ambienti për të bërë gazetarinë në Kosovë, gjithnjë e më shumë po vështirësohet.

Sipas tij, gjatë këtij viti, në Asociacionin që ai drejton, janë shënuar 27 raste të raportuara ku gazetarët janë kërcënuar, janë sulmuar fizikisht dhe janë penguar në kryerjen e detyrës.

Këto statistika, siç ka theksuar ai, tregojnë se në dy vjetët e fundit ka rritje të numrit të kërcënimeve, si dhe rritje të guximit të sulmuesve që të pengojnë fjalën e lirë. E gjithë kjo, ka thënë Shabani, është rezultat i mungesës së zbatimit të ligjit dhe mosefikasitetit të punës së gjykatave ndaj këtyre rasteve.

XS
SM
MD
LG