Ndërlidhjet

Qeveritarët thonë se realizuan pjesën më të madhe të programit


Ilustrim
Ilustrim

Qysh në fillim të vitit 2015, Qeveria e Kosovës kishte paraqitur programin e saj qeverisës për katër vitet e ardhshme, ku si prioritet kryesor kishte vënë zhvillimin ekonomik.

Disa nga pikat e këtij programi të Qeverisë në aspektin ekonomik, kishin referenca kohore të realizimit, por shumica prej pikave konsiderohej të realizoheshin brenda një periudhe katërvjeçare.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në kohën kur kishte bërë publik programin e Qeverisë, ishte shprehur i bindur se prioritet e vëna në këtë program, do të përmirësonin jetën e qytetarëve të vendit.

"Ky është program i zhvillimit. Program i shpresës për një jetë më të mirë. Për stabilitet familjar dhe për mirëqenie të çdo njeriu. Vlera dhe objektivi themelor i këtij programi është një vend pune, një njeri i punësuar, një familje e sigurt ekonomikisht", kishte deklaruar kryeministri Mustafa.

Pas një viti të publikimit të këtij programi, përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës thonë të jenë të kënaqur me përmbushjen e planeve që i kanë pasur në aspektin ekonomik.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, kishte bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë se gjatë këtij viti në resorët ekonomikë dhe në Ministrinë e Financave, është arritur të realizohet pjesa më e madhe e programit qeverisës.

“Kemi ndryshuar Ligjin e financave publike, kemi ndryshuar Ligjin e prokurimit publik për të rritur efiçiencën për të futur prokurimin elektronik, kemi futur në fuqi pakon e re fiskale. Tani po finalizojmë edhe një udhëzim tjetër që është për lirimet tatimore, për të krijuar zona të lira tatimore. Bizneset që dëshirojnë të investojnë, do të lirohen nga tatimi në fitim për një kohë të caktuar”, kishte thënë Hoti.

Të gjitha këto reforma, ishte shprehur Hoti, kanë mundësuar krijimin e rrethinës së një ambienti të nevojshëm për biznes.

Në anën tjetër, Sokol Havolli, shef i kabinetit dhe këshilltar për ekonomi në zyrën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, ka treguar për Radion Evropa e Lirë se cilat nga pikat e programit qeverisës janë realizuar.

Sipas tij, ka pasur zhvillime konkrete në ndryshmin e politikave fiskale, të cilat kanë pasur për qëllim përshpejtimin e normës së rritjes ekonomike dhe gjenerimit të vendeve të reja të punës.

“Është arritur marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar, i cili ka siguruar stabilitetin e buxhetit dhe ka siguruar edhe rritje të shpenzimeve në kategoritë kapitale. Kjo marrëveshje ka krijuar hapësirë që në katër vitet e ardhshme qeveria të ketë mundësi të investojë deri në 400 milionë euro shtesë në investime kapitale”, ka shtuar Havolli.

Si e arritur tjetër gjatë këtij viti, Havolli ka theksuar edhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.

Po ashtu, sipas Havolli, gjatë vitit 2015 ka pasur lëvizje konkrete dhe është avancuar projekti për termocentralin “Kosova e re”.

Një ndër fushat kryesore ekonomike, të cilat janë përkrahur gjatë vitit që lëmë pas, ishte bujqësia.

“Sektori i bujqësisë ka pasur një rritje të konsiderueshme të granteve për subvencione, që konsiderohet se ka qenë faktori që do të ndikojë domosdoshmërisht në rritjen e prodhimit. Është aprovuar në Qeveri Ligji për garantimin e kredive që është një ligj, i cili përbën shtyllën e parë të Fondit për investim dhe punësim, i cili pritet të gjenerojë rreth 360 milionë euro efekt në ekonomi për gjashtë vjet dhe 20 mijë vende pune”, ka thënë Havolli.

Rëndësi, gjatë vitit 2015, i është dhënë edhe mirëqenies sociale.

“Ka pasur rritje të ndihmës sociale, rritje për pensione, ka filluar pagesa e veteranëve, mbi të gjitha duke e paguar edhe përvojën e punës, ka rritje edhe të pagave për qytetarët në vitin 2015”, ka bërë të ditur ai.

Falja e borxheve, po ashtu, konsiderohet si e arritur tjetër e plan-programit qeverisës.

Gjatë vitit 2015, shoqatat ekonomike dhe përfaqësuesit e bizneseve kishin vënë një varg kritikash në adresë të Qeverisë së Kosovës.

Ata, vazhdimisht, kishin kërkuar nga autoritetet komente që të ndërmarrin hapa konkret për përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe sociale.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se deklaratat e zyrtarëve qeveritarë për reforma në ekonomike, nuk kishin munguar, por veprimet e ndërmarra nuk kanë qenë të mjaftueshme.

“Në përgjithësi, po vazhdon një dinamikë e ngadaltë e zyrtarëve të Qeverisë, po vazhdon dominimi i çështjeve politike edhe shumë pjesë tjera të legjislacionit që është dashur të ndryshohen me një ritëm më të shpejtë sikur mbesin të paadresuara”, ka thënë Zeka.

Politika, ndërkohë, ishte theksuar se një ndër fajtorët kryesorë të pengimit dhe të zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Papërgjegjësia e politikanëve gjatë vitit 2015, ishte thënë se ka dërguar mesazhe joperformuese për tregun dhe investimet në Kosovë.

Përfaqësuesit e bizneseve kishin theksuar se nuk u realizuan pritjet që kishin bizneset dhe qytetarët. Rritja ekonomike nuk e arriti normën që qeveria publikoi, si dhe punësimi ishte dukshëm më i vogël se sa ai i pritjes.

XS
SM
MD
LG