Ndërlidhjet

Tahiri: Austria ka aplikuar për kodin telefonik të Kosovës


Edita Tahiri
Edita Tahiri

Ministrja për dialog e Kosovës, Edita Tahiri, ka deklaruar se Austria dje ka aplikuar në ITU për kodin telefonik të Kosovës, në pajtim me marrëveshjen e Brukselit për telekomunikacion.

Mëtutje, në njoftimin për shtyp të qeverisë së Kosovës, theksohet se ministrja, Edita Tahiri, ka thënë se konfirmimi zyrtar për këtë zhvillim është marrë nga Bashkimi Evropian dhe Ambasada e Austrisë në Kosovë.

Zonja Tahiri, e ka falënderuar Austrinë “për angazhimin e saj shumë të rëndësishëm në mënyrë që Kosova ta ketë kodin e saj telefonik ndërkombëtar”.

Ajo ka njoftuar se kodi telefonik i Kosovës do të jetë 383 dhe “marrja e kodit nga Organizata ndërkombëtare e telekomunikacionit (ITU) i mundëson Kosovës njohje dhe sovranitet ndërkombëtar në fushën e telekomunikacionit”.

Pritet që kodi unik 383 do t’i jepet Kosovës në mars të këtij viti.

Ky kod do të përdoret në gjithë territorin e Kosovës dhe nga të gjithë operatorët e telefonisë mobile dhe fikse, thuhet në njoftim.

XS
SM
MD
LG