Ndërlidhjet

Çavdërbasha: Fondet shtyjnë sigurimet shëndetësore


Arkiv - Qendra Klinike Universitare e Kosovës
Arkiv - Qendra Klinike Universitare e Kosovës

"Për shkak të ndikimit ekonomik, mbledhja e mjeteve financiare për sigurimet shëndetësore do të shtyhet edhe gjashtë muaj", thotë për Radion Evropa e Lirë, Arsim Çavdërbasha, ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Financimit të Shëndetësisë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Çavdërbasha, ju keni deklaruar se në tremujorin e fundit të vitit 2015 do të fillojë mbledhja e të hollave për Ligjin për Sigurimet Shëndetësore. A ka ndodhur një gjë e tillë ?

Arsim Çavdërbasha: Ministria e Shëndetësisë, përkundër vështirësive të fillimit, në parim është gati për fillimin e mbledhjes se premiumeve, duke finalizuar disa nga aktet nënligjore te nevojshme. Megjithatë, nga partnerët vendor dhe ndërkombëtar të Ministrisë së Shëndetësisë, na është rekomanduar se duhet të presim edhe për një periudhë, për shkak të ndikimit ekonomik të mbledhjes së mjeteve.

Radio Evropa e Lirë: Sa llogaritet kostoja e Ligjit për Sigurime Shëndetësore për sektorin publik dhe atë privat?

Arsim Çavdërbasha: Në bazë të parallogaritjeve që i kemi bërë gjatë viteve të ndërtimit të këtij plani, në rend të parë është kostoja, përpos buxhetit të rregullt. Duhet të theksojë se ajo është e kalkuluar për sektorin publik dhe atë privat. Në sektorin publik, në bazë të pagës mesatare, kostoja duhet të jetë 18 milionë euro në vit për të punësuarit, si dhe 18 milionë euro për qeverinë.

Ndërkaq në sektorin privat, në ndërmarrjet të cilat paguajnë TVSH, ashtu siç edhe është e theksuar në Ligjin për Sigurime Shëndetësore, në bazë të pagës mesatare, kostoja vjetore do të jetë 19 milionë euro për punëdhënësin, ndërsa për punëmarrësin 19 milionë euro. Përqindja e premiumeve është e ndarë në mënyrë të barabartë.

Grupi i tretë i popullsisë janë ata që nuk janë të regjistruar në këto kategori. Këta qytetarë do të paguajnë nga 2 euro në muaj. Prej tyre pritet të mblidhen rreth 6 milionë euro në vit, dhe më pas këta qytetarë do ta fitojnë statusin e të siguruarit shëndetësor.

Radio Evropa e Lirë: Kur do të mund të përfitojnë qytetarët e Republikës së Kosovës nga ky ligj?

Arsim Çavdërbasha: Përfitimet varen plotësisht nga mjetet të cilat do të jemi në gjendje t'i mbledhim për t'i investuar në ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore. Pra, duhet patjetër të kalojë një periudhë disa mujore, në mënyrë që të grumbullohen mjetet financiare. Më pas, këto mjete do të shfrytëzohen për të rritur cilësinë e shërbimit shëndetësor në sektorin publik. Ne duhet të presim rreth 6 muaj që t'i mbledhim ca mjete, dhe mendoj se kjo është normale, pasi që për një muaj nuk mund të bëhet një gjë e tillë.

Radio Evropa e Lirë: Sa është shuma që qytetarët e Kosovës janëtë obliguar të paguajnë për fondin e sigurimeve shëndetësore, për kontributin e tyre?

Arsim Çavdërbasha: Për ta marrë statusin e të siguruarit, qytetarët dhe banorët e Republikës së Kosovës do të kontribuojnë me premium në lartësi prej 7 për qind nga të ardhurat personale bruto të të punësuarit, por të ndara përgjysmë. Pra, 3.5 për qind nga punëdhënësi dhe 3.5 për qind nga punëmarrësi.

Me këtë, punëtori fiton statusin e të siguruarit për vete dhe për të gjithë anëtarët e familjes së ngushtë. Siç e përmenda më herët, një grup i qytetarëve do të paguajë 2 euro për person në muaj, për të marrë statusin e të siguruarit, dhe kjo do të zgjasë deri sa t'i kategorizojmë ata në grupet përkatëse të të punësuarve.

Ndërsa për të gjithë personat nën vijën e ndjeshmërisë sociale, shteti do të vazhdojë t'i financojë shërbimet e rregullta shëndetësore, sikurse ka bërë deri më tani.

XS
SM
MD
LG