Ndërlidhjet

NATO dhe SHBA: Nuk paraqesim kërcënim për Rusinë


Ilustrim
Ilustrim

Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu tha të martën se aleanca ende po e studion doktrinën e re të sigurisë së Rusisë, që është miratuar javën e kaluar, por theksoi se “ne kategorikisht i hedhim poshtë pretendimet krejtësisht të pabaza se NATO-ja dhe politikat e saj paraqesin kërcënim të sigurisë për Moskën".

Në dokumentin e ri të Rusisë, që të enjten e kaluar e nënshkroi presidenti rus Vladimir Putin, NATO-ja akuzohet për shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe për lëvizjen e infrastrukturës së saj ushtarake, më afër kufijve të Rusisë.

Muajin e kaluar, NATO-ja e ftoi Malin e Zi për fillimin e bisedimeve për pranim. Me Malin e Zi, NATO-ja do t’i ketë 29 shtete anëtare.

Prej aneksimit të Krimesë së Ukrainës nga ana e Rusisë, në vitin 2014, është shtuar në mënyrë intensive prania e trupave të aleancës dhe ushtrimet ushtarake në shtetet e Evropës Lindore, që janë në kufi me Rusinë.

Megjithatë, zëdhënësja Lungescu tha se “zgjerimi i NATO-s nuk është i drejtuar kundër askujt” dhe se secili vend sovran “ka të drejtë të zgjedhë vetë nëse do t’i bashkohet ndonjë marrëveshjeje apo aleance”.

Më herët, edhe Shtetet e Bashkuara i kanë hedhur poshtë shqetësimet e Rusisë.

“Ne nuk po shikojmë për konflikt me Rusinë”, ka thënë para gazetarëve në Uashington, më 4 janar, zëdhënësi i Pentagonit, Jeff Davis.

Më tutje, kapiteni Davis theksoi se “ata nuk kanë arsye të na konsiderojnë kërcënim, ne i kemi dallimet tona, por është gabim thelbësor për t’i shikuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës si kërcënim për Rusinë”.

Megjithatë, zyrtarët e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjithnjë e më tepër kanë përdorur terminologji pothuajse të ngjashme për ta përshkruar atë që ata thonë se është kërcënim në rritje për sigurinë perëndimore nga Rusia.

Në muajin korrik të vitit të kaluar, gjenerali amerikan, Joseph Dunford, kryesues i Shtatmadhorisë së bashkuar dhe këshilltar kryesor i presidentit amerikan, Barack Obama, ka thënë se Rusia paraqet kërcënimin më të madh për sigurinë kombëtare amerikane, në krahasim me të gjitha kërcënimet potenciale në botën e sotme.

Zyrtarët rusë aktualisht po vazhdojnë të tërheqin vërejtje për kërcënimin në rritje nga NATO-ja.

Në një intervistë për agjencinë TASS, përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në NATO, Alexander Grushko i ka kundërshtuar përpjekjet për minimizim të pranisë në rritje të NATO-s në afërsi të kufijve të Rusisë, nëpërmjet rotacionit të shpeshtë të forcave të përkohshme.

“Hapat praktik të ndërmarrë tashmë nga Aleanca për ta forcuar krahun lindor të saj janë në kundërshtim me frymën dhe dokumentin për përkushtime të caktuara në Aktin e Themelimit Rusi – NATO, që është një marrëveshje paqësore”, për të cilën Grushko tha se është ‘dezintegruar’.

“Nëse dikush nuk është shumë i entuziazmuar me terminologjinë e sofistikuar të NATO-s, siç është rotacioni i vazhdueshëm i forcave ushtarake , plani është për vendosjen e potencialit të përhershëm ushtarak përgjatë kufijve tanë, një masë që do të kërkojë hapa seriozë për sigurinë tonë”, tha Alexander Grushko.

Përgatiti: Fatmir Bujupi

XS
SM
MD
LG