Ndërlidhjet

Obama: Armët janë përgjegjësia jonë e përbashkët


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama.

Pak ditë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka njoftuar kombin me veprimet e tij ekzekutive për të forcuar kontrollin e armëve me më shumë kontrolle të prejardhjes së blerësve potencialë, ai i është drejtuar kombit edhe një herë me një artikull të shkruar për gazetën New York Times.

Në artikull, Obama shkruan për përgjegjësinë e tij personale si qytetar, që të sigurojë se pasardhësi i tij do të vazhdojë të adresojë çështjen.

“Nuk do të bëj fushatë, nuk do të votoj dhe nuk do të mbështes asnjë kandidat, madje as të partisë sime, i cili nuk mbështet reformën për armë. Nëse 90 përqind e amerikanëve që mbështesin reformën për armë, më bashkohen mua, do të zgjedhim një udhëheqje që meritojmë”, ka shkruar Obama.

Ai është ndalur edhe te prodhuesit e armëve, të cilët, sipas tij, kundërshtojnë të përfshijnë karakteristika të sigurisë për prodhimet e tyre për shkak të lobit të fuqishëm që i mbron ata.

Obama ka thënë se industria e armëve duhet të bëjë pjesën e saj dhe se kjo duhet të nisë me prodhuesit.

“Si amerikanë, ne i mbajmë mallrat e konsumit me standardet më të larta, për t’i mbajtur të sigurta familjet dhe komunitetet tona. Makinat duhet t’i plotësojnë kërkesat për sigurinë dhe emetimet. Ushqimi duhet të jetë i pastër dhe i sigurt. Ne nuk do t’i japim fund ciklit të dhunës me armë derisa nuk kërkojmë që industria e armëve të ndërmarrë veprime të thjeshta, që t’i bëjë prodhimet e saj të sigurta. Nëse një fëmijë nuk mund të hapë shishen e aspirinës, ne po ashtu duhet të sigurohemi se ai nuk mund të tërheqë këmbëzën e pushkës”, ka shkruar Obama në New York Times.

Ai ka përfunduar shkrimin me një ton inkurajues, duke thënë se reforma e armëve është e mundur edhe nëse ajo duket rrugë e gjatë dhe e vështirë. Obama u është referuar si dëshmi shembujve jo aq të largët të historisë amerikane.

“Ndryshimi do të jetë i vështirë. Nuk do të ndodhë brenda natës. E drejta e gruas për të votuar nuk ka ndodhur brenda natës. Çlirimi i afrikano-amerikanëve nuk ka ndodhur brenda natës. Avancimi i të drejtave të lesbikeve, homoseksualëve, biseksualëve dhe transseksualëve amerikanë ka marrë dekada”, ka thënë presidenti amerikan.

Në Shtetet e Bashkuara thuhet se çdo vit humbin jetën mbi 30,000 amerikanë si pasojë e dhunës me armë.

Ligjvënësit demokratë në SHBA kanë kërkuar disa herë forcimin e ligjeve për armë, duke e bërë të detyrueshëm kontrollin e biografisë së atyre që duan të blejnë armë dhe ndalimin e shitjes së armëve nëse kontrolli nuk është i plotë. Republikanët kryesisht janë kundër.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG