Ndërlidhjet

SHBA - Rusi: Takim i zyrtarëve për Ukrainën


Ilustrim
Ilustrim

Ndihmës-sekretarja amerikane e shtetit, Victoria Nuland, dhe zyrtari i Presidencës së Rusisë, Vladislav Surkov, janë takuar të premten me dyer të mbyllura në enklavën perëndimore ruse në Kaliningrad, për bisedime diplomatike për ndërmjetësimin e përfundimit të luftës së përgjakshme 20 muajshe, në pjesën lindore të Ukrainës.

Takimi i mbajtur në një rezidencë shtetërore jashtë Kaliningradit, ishte fokusuar në pjesën lindore të Ukrainës, ka thënë zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, John Kirby.

“Ata kanë diskutuar për situatën në Ukrainën Lindore dhe për nevojën e implementimit të plotë të marrëveshjeve të Minskut. Bisedimet ishin konstruktive dhe kishin për qëllim mbështetjen e punës që po zhvillohet në vendet e Normandisë në kontakt grupin trepalësh”, mbrëmë vonë në Uashington.

Me referencën “vendet e Normandisë”, zoti Kirby i ka pasur parasysh Ukrainën, Gjermaninë dhe Francën.

Kievi dhe Perëndimi e akuzojnë Rusinë për furnizim me armatim, personel dhe fonde për separatistët, që kanë luftuar kundër forcave qeveritare të Ukrainës në këtë konflikt, nga i cili prej prillit të vitit 2014, janë vrarë më se 9 mijë njerëz.

Rusia i ka hedhur poshtë këto akuza, megjithëqë ka dëshmi që i mbështesin ato.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë imponuar sanksione kundër zyrtarëve rusë, biznesmenëve dhe kompanive, në përgjigje të ndërhyrjes së Rusisë në Ukrainë, përfshirë aneksimin e Krimesë në mars të vitit 2014.

Për çështjen e sanksioneve kundër Rusisë, është shprehur më 14 janar edhe Daniel Fried, koordinator i politikës së sanksioneve në Departamentin Amerikan të Shtetit.

“Lajm i mirë është se ekziston procesi diplomatik i quajtur procesi i Minskut, ku ishin zhvilluar negociata për të, e i cili, nëse implementohet, na jep një përfundim të agresionit rus kundër Ukrainës në lindje. Ai përfshin zgjedhje në Donbas, në territoret e okupuara, ligj të ri zgjedhor për kushtet atje, monitorues të OSBE­-së, pra shumë gjëra”.

“Pastaj përfundon me ripërtëritjen e kufirit lindor ndërkombëtar të Ukrainës. Tash, pasi Minsku të plotësohet, pasi këto zgjedhje të mbahen, dhe forcat ruse të largohen, dhe atje nuk ka më luftë dhe kufiri lindor është ripërtërirë, atëherë po, sanksionet do të tërhiqen” , ka thënë Daniel Fried.

Agjencia AFP e ka cituar një burim të paidentifikuar të afërt me këtë çështje, që ka thënë se takimi Victoria Nuland - Vladislav Surkov është mbajtur në territorin rus, për shkak se Surkov, që është lavdëruar gjerësisht si ideolog që ka dorë në konsolidimin e autoritetit politik të presidentit Vladimir Putin në Rusi, është në mesin e zyrtarëve rusë, që është i përfshirë në listën e sanksioneve të lidhur me Ukrainën.

Agjencia shtetërore ruse, RIA Novosti, raportoi se Surkov ka thënë se bisedimet me zonjën Nuland ishin “konstruktive dhe të dobishme”.

“Ky ishte një lloj i sesionit të ideve në kërkim për kompromise për plotësimin e marrëveshjeve të Minskut”, u ka thënë Surkov reporterëve.

Takimi bilateral është bërë pas përpjekjeve të reja të negociatorëve këtë javë për implementimin e armëpushimit të ndjeshëm në pjesën lindore të Ukrainës.

Martin Sajdik, i dërguar i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), pas takimit më 13 janar të Kontakt grupit tripalësh, ka thënë se po ndërmjetëson në arritjen e zgjidhjes për përfundim të konfliktit, dhe se negociatorët janë pajtuar për përpjekje të ripërtërira për mbajtjen e armëpushimit.

Sajdik ka theksuar se palët janë pajtuar që përsëri të përpiqen që në mënyrë të plotë të ndalen luftimet ndërmjet dy palëve dhe kanë diskutuar për përpjekje të reja për këmbimin e të burgosurve të luftës.

Këtë javë, presidenti amerikan, Barack Obama, ka biseduar me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për Ukrainën, ndërsa sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, do të takohet me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në Zvicër më 20 janar, për bisedime për konfliktet në Ukrainë dhe Siri.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG