Ndërlidhjet

Mijëra kilogramë produkte të asgjësuara në Kosovë


Ilustrim
Ilustrim

Vetëm gjatë vitit 2015, mbi 600 mijë kilogramë/litra produkte me afat të skaduar dhe cilësi të dyshimit janë asgjësuara nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovës.

Zyrtarë të kësaj agjencie bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë se produktet e asgjësuar janë kryesisht me orgjinë shtazore, si mishi dhe produktet e mishit, pastaj qumështi dhe produktet e qumështit, por ka edhe produkte me orgjinë bimore dhe produkte të tjera.

Së fundmi, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë e Kosovës ka konfiskuar një sasi prej 25 ton sheqer me afat të skaduar.

Zëdhënësi i kësaj agjencie, Lamir Thaqi thotë se produktet me afat të skaduar dhe cilësi të dyshimtë janë asgjësuar para se të jenë në duart e konsumatorit.

“Në asnjë rast kur ka produkte me afat të skaduar nuk lejohet hyrja e atij produkti në tregun e brendshëm, sepse një ngarkesë e importit, pa e marrë aprovimin nga ana e inspektorëve të agjencisë se a i plotëson të gjitha kushtet për qarkullim, nuk mund as të zhdoganohet”.

“Duke u nisur nga ky fakt, nuk lejohet asnjë produkt që nuk i plotëson të gjitha kushtet shëndetësore të hyjë në tregun e Kosovës”, ka thënë Thaqi.

Sidoqoftë, shqetësime të mëdha për produktet më afat të skaduar dhe cilësi të dyshimtë në tregun e brendshëm të Kosovës ngritin përfaqësues të organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit.

Ata thonë se shitja e produkteve me afat të skaduar në tregun e Kosovës është shndërruar në një fenomen shqetësues, që e rrezikon drejtpërdrejtë shëndetin e qytetarëve.

Selatin Kaçaniku, kryetar i Organizatës për Mbrojtjen e Konsumatorit, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se gjendja në tregun e Kosovës është ndryshe nga ajo çfarë deklarojnëautoritete e vendit.

Sipas tij, në tregun e Kosovës vazhdimisht ka produkte me cilësi të dyshimtë dhe me afat të skaduar.

“Në praktikë, në marketet tona, e kemi një gjendje krejt tjetër. Ne u besojmë deklaratave të zyrtarëve qeveritarë, por më shumë iu besojmë syve tanë kur në markete shohim produkte të cilat janë të dyshimta, janë me afat të skaduar, apo janë prishur duke u ruajtur në kushte jo adekuate”, thekson Kaçaniku.

Për produktet e dyshimta në tregun e Kosovës flasin edhe qytetarët, të cilët kanë hasur në artikuj me afat të skaduar dhe cilësi të dyshimtë.

Albulena Zeka, një qytetare nga Prishtina, ka treguar për Radion Evropa e Lirë se kishte blerë një produkt, që ishte me afat të skaduar.

“Institucionet e Kosovës duhet të jenë më të vëmendshme karshi kësaj dukurie. Duhet të bëhet një kontroll nëpër markete, pasi që po në rrezikohet jeta. Unë kam blerë një produkt i cili ka qenë i prishur dhe u pata helmuar nga ai produkt”, tregon ajo.

Edhe Synavere Sinani thotë se ka hasur në produkte të dyshimta.

“Mendoj se ka raste të tilla, në veçanti në markete të vogla, pasi që iu mbesin produktet gjatë pa u shitur, por nuk besoj se kjo ndodhë tek marketet e mëdha”, thotë ajo.

Angazhimi për mbrojtjen e konsumatorit kosovar është kërkuar si nga mekanizmat vendorë, ashtu edhe ndërkombëtarë.

Në raporte të ndryshme theksohet nevoja për angazhim më të fuqishëm institucional në këtë drejtim.

XS
SM
MD
LG