Ndërlidhjet

Shqetësime për sigurinë e nxënësve në shkolla


Ilustrim
Ilustrim

Shqetësimit të prindërve për sigurinë në shkolla i është shtuar edhe një rast, që u raportua së fundmi nga një prind si tentim rrëmbimi, e që thuhet të ketë ndodhur në shkollën fillore “Emin Duraku” në Prishtinë.

Vajza 9 vjeçare E.Sh., (emër i njohur për redaksinë), sipas nënës së saj, me inicialet A.Sh., ishte në oborrin e shkollës gjatë pushimit mes orëve të mësimit, kur një grua kishte tentuar ta rrëmbente atë.

Sipas saj, një grua e moshës madhore kishte tentuar ta rrëmbente vajzën e saj, të mërkurën, më 20 janar, por nuk ia kishte arritur qëllimit, ngaqë kjo e fundit kishte vrapuar dhe ishte futur në klasë.

“Dje në shkollën fillore Emin Duraku, gjatë pushimit të gjatë, ka dalë vajza për të blerë diçka. Një femër e moshës madhore e ka kapur për dore vajzën time dhe e ka lutur që të shkojë me të deri tek stacioni i autobusëve, që është menjëherë jashtë oborrit të shkollës. Vajza ka hezituar, pasi nuk e ka njohur gruan në fjalë, por më pas ajo e ka shtrënguar për krahu duke e tërhequr. Por vajza ka arritur të ikë, pasi është frikësuar”.

“Është kthyer në klasë, dhe i ka tregu mësueses, por mësuesja nuk e ka bërë shumë të madhe këtë punë”.

“Sot mandej ka shkuar babai i vajzës, bashkëshorti im, e ka lajmëruar rastin në drejtori, pas tregimit që vajza na bërë në shtëpi. Drejtori i shkollës është i njoftuar . Ne, si prindër, nuk e kemi lajmëruar policinë, por, besoj që përmes drejtorisë së shkollës do të kryhet kjo punë. Kamerat e sigurisë janë në shkollë dhe më kanë premtuar që sapo t’i nxjerrin incizimet, do të shihet se çka do të ndodhë”, ka thënë nëna e vajzës.

Në Kuvendin Komunal të Prishtinës, drejtoresha për Arsim, Arbërie Nagavci, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se drejtoria e shkollës “Emin Duraku” e ka njoftuar për rastin në fjalë, dhe po presin që të zbardhet rasti përmes kamerave të sigurisë, që janë të vendosura rreth shkollës.

“Jam njoftuar dje nga drejtori i shkollës që ka qenë një tentim rrëmbimi. Janë duke i shikuar incizimet nga kamerat e sigurisë dhe më pas do të trajtojmë rastin”.

“Ne kemi kërkuar nga mësimdhënësit që t’u flasin fëmijëve që të kenë kujdes me njerëz të panjohur. Gjithashtu, kujdestarët e ditës nëpër shkolla, sidomos gjatë pushimeve, duhet të jenë në nivel detyre”, ka thënë Nagavci.

Nagavci gjithashtu ka shtuar se tashmë është themeluar edhe zyra për siguri në shkolla, duke shpjeguar për rolin që do ta ketë kjo zyrë.

“Ne si Kuvend Komunal i Prishtinës kemi themeluar zyrën për siguri në shkolla. Jemi duke i bashkërenduar aktivitetet që u takojnë të drejtave të fëmijëve, në mënyrë që të punohet më tepër në parandalimin dhe vetëdijesimin e fëmijëve, prindërve dhe stafit të shkollës”, ka thënë Nagavci.

Autoritetet e rendit në Kosovë thonë se nuk kanë informacione për tentim rrëmbimin e vajzës në fjalë, dhe se sipas tyre, në raste të tilla, Policia e Kosovës ndërmerr masa konkrete në paraqitjen e rastit të rrëmbimit.

Daut Hoxha, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës, ka bërë të ditur se gjatë vitit 2015 kanë qenë të raportuara gjithsej 18 raste të rrëmbimit, të natyrave të ndryshme.

“Nëse krahasohet vitit 2015, me atë të vitit 2014 , ky fenomen ka shënuar ulje, pasi që në vitin 2014 kanë qenë të raportuara 41 raste të rrëmbimeve”.

“Por, sa i përket rrëmbimit të fëmijëve, apo tentim rrëmbimit, nuk kemi raste të raportuara nëpër shkolla. Këto statistika përfshijnë raste të ndryshme që kanë të bëjnë me rrëmbimin”.

“Por, megjithatë, Policia e Kosovës, për çdo rast që raportohet, ndërmerr masa konkrete operacionale dhe hetimore”, ka thënë Hoxha.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar edhe me shkolla të tjera lidhur me këtë fenomen.

Drejtori i shkollës fillore “Pavarësia” në Prishtinë, Shefki Rusinovci ka thënë për Radion Evropa e Lirë se në shkollën që ai e udhëheqë nuk ka ndodhur ndonjë rast rrëmbimi apo tentim rrëmbimi, dhe se sigurinë e shkollës e vlerëson si shumë të lartë.

“Unë për herë të parë po dëgjoj për temën që ju po e trajtoni, rrëmbimin e fëmijëve. As që është diskutuar për rrëmbim, as në kuadër të temave në nivel shkolle. Ne nuk kemi telashe me sigurinë në shkollë. Konsideroj se siguria në nivel shkolle është e lartë”, ka thënë Rusinovci.

XS
SM
MD
LG